Please enter at least 3 characters.

Trump kërcënon me 'vdekje, zjarr dhe tërbim' nëse Irani ndërpret transportin e naftës

Presidenti amerikan Donald Trump e ka kërcënuar Iranin me "vdekje, zjarr dhe tërbim" nëse vazhdon të ndërpresë rrugët e transportit të naftës në Lindjen e Mesme.

Irani pothuajse ka ndaluar lëvizjen e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit - një nga rrugët më të rëndësishme tregtare në botë - pas sulmeve SHBA-Izrael 10 ditë më parë.

Në një konferencë për shtyp në Florida të hënën, Trump tha se Irani do të goditet me sulme të mëtejshme nëse ndërprerja vazhdon, pasi çmimet e naftës arritën nivelin më të lartë në katër vjet.

Duke “përsëritur” këto komente në një postim në Truth Social, Trump tha se SHBA-të do ta godisnin Iranin "njëzet herë më fort" dhe "do ta bënin praktikisht të pamundur që Irani të rindërtohet ndonjëherë".

“Nëse Irani bën diçka që ndalon rrjedhën e naftës brenda Ngushticës së Hormuzit, ata do të goditen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës NJËZET HERË MË FORTË sesa janë goditur deri më tani. Përveç kësaj, ne do të shkatërrojmë objektiva lehtësisht të shkatërrueshme që do ta bëjnë praktikisht të pamundur që Irani të rindërtohet ndonjëherë, si një Komb, përsëri - Vdekja, Zjarri dhe Tërbimi do të mbretërojnë mbi ta - Por shpresoj dhe lutem që kjo të mos ndodhë! Kjo është një dhuratë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kinën dhe të gjitha ato kombe që e përdorin shumë Ngushticën e Hormuzit. Shpresojmë që të jetë një gjest që do të vlerësohet shumë”, ka shkruar Trump.

Gardat Revolucionare të Iranit kanë thënë se vendet arabe dhe evropiane do të lejohen të kalojnë nëpër ngushticë nga e marta me kusht që të dëbojnë ambasadorët e SHBA-së dhe Izraelit nga territori i tyre. /Telegrafi/