Trepça '89 kalon në çerekfinale të Kupës pas fitores në vazhdime ndaj Flamurtarit
Trepça '89 ka arritur të kalojë në çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll, pasi ka mposhtur Flamurtarin me rezultat 3-0, fitore kjo e cila erdhi pas vazhdimeve pasi ndeshja e rregullt përfundoi me rezultat 0-0.
Pjesa e parë e ndeshje u karakterizua me lojë të barabartë nga të dyja skuadrat, të cilat patën rastet e veta për gol, por pa arritur të konkretizojnë asnjë.
Në pjesën e dytë, vendasit ishin më kërkues për gol dhe kjo u bë edhe më e lehtë pas përjashtimit të Andi Shalës së Flamurtarit në minutën e 60-të.
Megjithatë, Minatorët nuk arritët të shfrytëzojnë këtë epërsi numerike dhe ndeshja pas 90 minutave përfundoi 0-0 dhe skuadrat shkuan në vazhdime.
Në vazhdime u vërejt lodhja e madhe e futbollistëve mysafirë dhe freskia e vendasve, të cilët gjetën golin në minutën e 92-të me Djibril Diawara që shënoi me kokë për 1-0.
Në pjesën e parë të vazhdimeve, vendasit arritën të shënojnë edhe një gol me anë të Renato Hyshmerit (103'), i cili shënoi një gol të bukur për 2-0.
Trepça '89 vazhdoi me sulme dhe gola edhe në vazhdimin e dytë pasi në minutën e 111-të ishte Arbër Pira që shënoi për 3-0 duke vulosur rezultatin përfundimtar të ndeshjes.
Me këtë fitore Trepça '89 e sheh veten të kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Kosovës, ndërsa kundërshtarin do ta njoh gjatë ditëve të ardhshme pas shortit. /Telegrafi/


