Totaj: Përmbaruesi i merr Komunës së Prizrenit në vitin 2026 afër 17 milionë euro në total
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka reaguar në rrjetin social Facebook, duke thënë se përmes përmbaruesit komunës i janë marrë 360 mijë euro nga kategoria e subvencioneve.
“Përmes përmbaruesit, Komunës së Prizrenit i merren 360,000.00€ nga kategoria e subvencioneve”, ka shkruar Totaj.
Ai ka shtuar se gjatë vitit 2026, sipas tij, komunës në total i janë marrë afër 17 milionë euro.
“Gjatë vitit 2026 në total Komunës iu janë marrë afër 17 milion€!”, ka shkruar Totaj.
Në postimin e tij, Totaj ka përdorur edhe gjuhë të ashpër, duke e cilësuar situatën si “poshtërësi”.
“Poshtërësia ka emër dhe mbiemër!”, ka shkruar ai, pa dhënë më shumë detaje se për cilin rast përmbarimor bëhet fjalë dhe për çfarë obligimi financiar është ekzekutuar pagesa.
Telegrafi do të provojë të marrë sqarime nga Komuna e Prizrenit lidhur me natyrën e rastit, vendimin përmbarimor dhe ndikimin e kësaj shume në subvencionet komunale. /Telegrafi/


