Topi: NATO i dha fund gjenocidit të Milosevicit
“Sot mbushen 13 vjet nga nisja e sulmit ajror të Aleancës më të madhe të paqes e sigurisë në botë, të NATO-s, kundër politikës shoviniste dhe makinerisë ushtarake serbe. 24 marsi i vitit 1999 shënoi fillimin e fundit të regjimit diktatorial të Slobodan Milosevicit duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë gjenocidit, dhunës së pashembullt dhe shpërnguljeve me forcë ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës nga trupat ushtarake serbe", thuhet në mesazhin e presidentit Topi.
Presidenti topi falënderoi SHBA-të, Britaninë dhe të gjitha vendet anëtare të NATO-s, të cilat shpëtuan popullsinë kosovare nga gjenocidi dhe krimet e Milosevicit.
“Në emër të shtetit shqiptar dëshiroj të shpreh mirënjohjen e thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për Presidentin Clinton, për Kryeministrin britanik Toni Blair si dhe për të gjitha vendet anëtare të NATO-s, të cilat i erdhën në ndihmë dhe përkrahën pa hezitim popullsinë shqiptare të Kosovës duke e shpëtuar atë nga spastrimet etnike dhe dhuna më çnjerëzore e ushtruar në Evropë në fund të shekullit XX. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Kosovë ishte vendimtare në momentet më të vështira të historisë moderne të kombit shqiptar dhe duke u kombinuar me qëndresën e luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bëri të mundur që populli i Kosovës të fitonte lirinë e merituar, për të cilën ka sakrifikuar aq shumë duke luftuar pa pushim e duke derdhur gjak”, shtoi Topi.
Sipas Presidentit, tashmë në Ballkan nuk ka për konflikte ndëretnike. Shtetet e tij kanë një qëllim të përbashkët, integrimin në Bashkimin Evropian.
“Tashmë Ballkani, i çliruar nga mendësitë arkaike të konflikteve ndëretnike, ka një realitet të ri gjeopolitik: shtetin e ri, sovran dhe të pavarur të Kosovës, perspektiva e qartë e të cilit është padyshim integrimi në gjirin e strukturave euroatlantike dhe në familjen e madhe evropiane”, thuhet në mesazhin e presidentit Topi. /Telegrafi/


