Tiran apo guvernator?
Rrëfenjë turke (pjesë nga libri 101 rrëfenja turke)
Përktheu: Bajram Karabolli
Një ditë, Timurlengu ishte i mërzitur dhe, për të hequr mërzinë, thërret oborrtarët e tij që të bëjë gallatë me ta, se, kushedi, vjen në humor të mirë dhe qesh.
- Çfarë jam unë? - pyet ai astrologun e tij. – Jam një tiran apo një guvernator?
- Ju jeni një guvernator - përgjigjet oborrtari.
Për këtë përgjigje fatziut i pritet koka, menjëherë.
Pastaj, Perandori Timurleng i drejtua një oborrtari të dytë:
- Edhe ti mendon se jam, thjesht, një guvernator?
- Jo, Perandori i madh Timurleng. Ju jeni tirani më i fuqishëm në botë!
Por, as kjo përgjigje nuk i pëlqen Timurlengut dhe urdhëron t’i presin kokën edhe këtij lumëmadhi. Më në fund, Timurlengu i drejtohet Nastradinit:
- Nastradin efendi, po ti si mendon, çfarë jam unë?
- Madhëri, ju nuk jeni as tiran dhe as guvernator - përgjigjet, shkurt, Nastradini.
- Ma shpjego!
- Nëse do të ishit tiran, nuk do të pyesnit oborrtarët e thjeshtë. Dhe, nëse do të ishit një guvernator i drejtë, nuk do t’i ndëshkonit njerëzit për të thënë të vërtetën.


