“Thanë se negociatat u bllokuan dhe narkoregjimi u zbulua”, Rama: Humbën përsëri e Shqipëria fitoi, konferenca ndërqeveritare me BE-në më 26 maj
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar sot ndaj kritikëve se negociatat me Bashkimin Evropian janë bllokuar.
Rama në një postim në Facebook shkruan se Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri - BE që do të mbahet më 26 maj vulos me sukses fazën hyrëse dhe çel fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit.
Lexoni të plotë postimin:
Thanë negociatat u bllokuan. Thanë Shqipëria u ndëshkua. Thanë Evropa u zgjua dhe narkoregjimi u zbulua.
U lëshuan rrugëve me molotovë, për ta djegur Shqipërinë në sytë e të huajve. U lëshuan nëpër Evropë me thasë balte e llumi, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e të huajve. U gënjyen si gjithnjë nga mendja e tyre dhe gënjyen edhe ata gjithnjë e më të paktë, që shkojnë me atë mendje.
Humbën përsëri. Dhe Shqipëria përsëri fitoi
Më 26 maj në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri - BE vulos me sukses fazën hyrëse dhe çel fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit. Sepse ndryshe nga si e përflasin ditë e natë ata që gjithnjë humbasin në fund, Shqipëria Evropiane që po ndërtojmë është një histori suksesi, e cila shkruhet me vizion, punë e përkushtim, hap pas hapi, e në fund gjithnjë fiton.
Kjo është një tjetër ditë krenarie për Shqipërinë, për skuadrën tonë të madhe, për të gjitha repartet e saj në çdo pjesë të fushës së përgjegjësive publike, për shumicën parlamentare, për qeverinë, për institucionet e pavarura, e sigurisht për ata që i përfaqësojnë ato në tryezën e negociatave për Shqipërinë 2030 në BE
Urime të gjithëve e mbi të gjitha faleminderit çdo shqiptari e shqiptareje, që na beson e na mbështet në rrugën e këtij misioni historik. /Telegrafi/


