Please enter at least 3 characters.

Temperatura rekorde në Kosovë, në Han të Elezit arrin 41.6 gradë Celsius

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) ka njoftuar se sot janë regjistruar temperatura jashtëzakonisht të larta në territorin e Kosovës.

Sipas matjeve nga Rrjeti Shtetëror i Stacioneve Meteorologjike, disa qytete kanë shënuar vlera rekorde të temperaturave që nuk janë regjistruar më parë, transmeton Telegrafi.

Rekordi i temperaturave më të larta u shënua në Han të Elezit, ku maksimalja ka arritur në 41.6 gradë Celsius.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë ka dhënë disa rekomandime për qytetarët se si të mbrohen nga temperaturat e larta.

Ministria e Shëndetësisë rekomandon institucionet publike dhe private të marrin masa mbrojtëse të përgjithshme dhe specifike ndaj ekspozimeve në temperatura të larta, si në vijim:
Të shmanget puna në ambient të jashtëm prej orës 11:00-16:00;

Gratë shtatzëna të lirohen nga puna nga ora 11:00 deri në 16:00, nëse në vendin e punës nuk plotësohen kushtet sipas pikave 1.4, 1.5, dhe 1.6

Personat me sëmundje kronike të punojnë me orar të shkurtuar, maksimumi 4 orë në ditë;

Të përshtaten oraret e punës për të punësuarit, në mëngjes herët ose pasdite vonë, përfshirë edhe mundësinë e punës nga shtëpia;

Të sigurohet ajrosja e mjaftueshme në vendet e punës të mbyllura

Të vendosen pika freskimi (përdorimi i çadrave të lëvizshme dhe materialeve tjera për të krijuar hije apo zona freskimi) në vend punishtet e hapura për freskim të punëtorëve dhe të sigurohet qasje në ujë te ftoftë për punëtorët

Të shpërndahen informacione për mënyrat e mbrojtjes nga nxehtësia.

Ministria e Shëndetësisë rekomandon masat mbrojtëse të përgjithshme për qytetarët ndaj ekspozimeve në temperatura të larta, si në vijim:

Të shmanget qëndrimi në ambientin e jashtëm në kulmin e nxehtësisë;

Të konsumohet ujë për tu mbrojtur nga dehidrimi dhe të shmangen pijet e gazuara;

Të përdoren kapelë dhe syze mbrojtëse nga dielli kur qëndrohet jashtë;

Mos të lihen fëmijët vetëm në veturë derisa prindërit/kujdestarët kryejnë ndonjë punë;

Të kontaktohen rregullisht të afërmit e moshuar ose me sëmundje kronike për të vlerësuar nevojat shëndetësore të tyre;

Sipas nevojës të kërkohet ndihmë në shërbimet e urgjencës mjekësore, telefoni 194./Telegrafi/