Please enter at least 3 characters.

Të shtëna me armë në Jezerc të Ferizajt, policia sekuestron një pistoletë

Një armë zjarri është sekuestruar nga Policia e Kosovës pas një rasti të raportuar të shtënave me armë në fshatin Jezerc të Ferizajt.

Sipas policisë, më 27 qershor 2026 është pranuar një informacion se në vendin e quajtur “Livadhet e Kishës”, në një vilë, ishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri.

Njësia e Hetimeve, në bashkëpunim me Njësinë Reaguese, ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ka kontaktuar pronarin e vilës dhe personat e pranishëm.

Gjatë kontrollit, te i dyshuari me inicialet B.O. (30) është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me një karikator që përmbante tre fishekë. Po ashtu, në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar edhe dy gëzhoja.

I dyshuari ka pranuar se kishte shtënë dy herë me armën e zjarrit.

Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar intervistimin e të dyshuarit. Ndaj tij është iniciuar procedurë për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Pas procedurave fillestare, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt hetimore./Telegrafi/