Sveçla: Përparim Rama e humbi vetë mbështetjen gjermane për “Pastrimin”
Shefi i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka akuzuar kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën, se me veprimet e tij ka rrezikuar mbështetjen e Qeverisë Gjermane për Ndërmarrjen Publike “Pastrimi”.
Sveçla ka deklaruar se mbështetja gjermane për projektin ka qenë e kushtëzuar me qëndrueshmërinë afatgjatë të ndërmarrjes.
Sipas tij, Komuna e Prishtinës është dashur të dëshmojë se nuk ka synim falimentimin e “Pastrimit” apo nënkontraktimin e shërbimit të grumbullimit të mbeturinave te kompanitë private.
“Përkundër deklaratave sa për sy e faqe se ky kusht do të respektohej, veprimet e Përparim Ramës, në fakt, kanë qenë në kundërthënie të plotë me kushtin për qëndrueshmërinë e ndërmarrjes”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka përmendur si veprime që, sipas tij, kanë dëmtuar qëndrueshmërinë e ndërmarrjes, shpalljen e një tenderi në vlerë prej 16 milionë eurosh për nënkontraktimin e grumbullimit të mbeturinave te kompanitë private, si dhe atë që e ka cilësuar si keqmenaxhim të vazhdueshëm të “Pastrimit”.
Sveçla ka pretenduar gjithashtu se deklarimi për shuarjen e Ndërmarrjes “Pastrimi” dhe krijimin e një ndërmarrjeje të re komunale ka ndikuar në humbjen e mbështetjes gjermane.
“Me veprimet e tij, Përparim Rama e ka dëshmuar se synim e ka falimentimin e Ndërmarrjes ‘Pastrimi’, ngjashëm sikurse po bën edhe me ndërmarrjet tjera komunale”, ka deklaruar ai.
Në reagimin e tij, Sveçla ka kritikuar Ramën edhe për gjendjen me mbeturinat në kryeqytet, duke thënë se kryetari i Prishtinës do të tentojë t’ua bartë përgjegjësinë të tjerëve.
“Sigurisht që, sikurse për çdo dështim tjetër, ai do të mundohet t’i fajësojë të tjerët edhe për faktin që Prishtinën e ka mbuluar bërllogu. Por kjo tashmë është tepër e qartë për qytetarët”, ka shkruar Sveçla.
Ai e ka akuzuar Ramën për paaftësi në qeverisje dhe për dëmtimin e ndërmarrjeve publike komunale.
Sveçla ka reaguar ndaj iniciativës për formimin e një ndërmarrjeje të re komunale për pastrim, duke akuzuar Përparim Ramën dhe partnerët e tij se po e çojnë “Pastrimin” drejt falimentimit.
Sipas Sveçlës, shumica e punëtorëve rrezikojnë të mbesin pa punë, ndërsa ndërmarrja e re ende nuk është funksionale.
Ai ka paralajmëruar se kjo situatë mund të ndikojë edhe në menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë, duke thënë se “bërllogu vazhdon ta pushtojë kryeqytetin”./Telegrafi/


