Superfinalja në Prizren
18 korriku në Prizren, do të jetë një ditë e mrekullueshme, sepse në terrenet e basketbollit të Zona Park (ish Parku i Qytetit Natyra), nga 8 skuadrat më të suksesshme në kategoritë Profi dhe Amatorë, do të luftojnë për titullin e kampionit dhe shpërblimet e çmueshme .
Kampioni “Profi” sivjet shkon, “7 dit n’Turqi dorën n’xhep pa e shti”, ndërsa vendi i dytë fiton 500 euro.
Kampioni “Amatorë”, do të shpërblehet me 800 euro, kurse nënkampioni me 400.
Duke i kaluar mbi 1000 kilometra nëpër tërë Kosovën duke tubuar rreth 400 lojtarë në 100 ekipe, të cilat garuan në turnetë kualifikues në 7 qytetet kryesore, karvani i Streetballit të Kosovës, të shtunën me 18 korrik do të arrijë në etapën vendimtare të edicionit të 16-të të Kampionatit Zyrtar të streetballit kosovar: Superfinalen e Limak Streetball Kosova 2015, edicionit të tretë të pranuar zyrtarisht nga FIBA 3×3 Basketball.
Sivjet Shoqata e Streetball Kosova, ka paraparë dy superfinale në dy kategori Profi dhe amatorë dhe pikërisht kategorizimi i ri i garave, ndarja në konkurrencën profesionale dhe amatore, sivjet ka sjellë freski dhe rritje të dukshme të kualitetit të garave.
Nga ora 10:30, bëhet tubimi i ekipeve amatore, por para se të hedhet shorti dhe të përcaktohen çiftet, nga ora 10:45 do të zhvillohet ndeshja e barazhit për caktimin e superfinalistit të tetë, ndërmjet ekipeve Hej! Gilani – Driton Ibrahimi.
Nga ora 11:00, bëhet hedhja e shortit për garat në grupe të amatorëve dhe nga ora 11:15, nisin garat në fazën e grupeve të amatorëve
Nga ora 13:30, bëhet tubimi i ekipeve profesioniste dhe pas përfundimit të garave të amatorëve në grupe, rreth orës 14:00 bëhet verifikimi i prezencës së skuadrave profesioniste dhe hedhet shorti.
Garat nisin nga ora 14:30, me fazën e grupeve në kategorinë profesioniste.
Si zakonisht në këtë edicion, pas fazës së grupeve zhvillohen gjysmëfinalet, me amatorët që pritet të luajnë, rreth orës 17:30 dhe më pas profesionistët rreth orës 18:15.
Superfinalja e amatorëve zhvillohet rreth orës 19:00, ndërsa Superfinalja në kategorinë Profi, rreth orës 19:20.
Organizatori do të bëjë më pas ndarjen e shpërblimeve për fituesit dhe do të mbajë fjalimin përmbyllës, të Limak Streetball Kosova 2015.


