Please enter at least 3 characters.

Standardet, kequshqyerja apo totalitarizmi

(Një letër Kryeministrit të Kosovës)

I famshmi udhëzim administrativë për produktet e mishit i marrë nën arsyetimin dhe në emër të standardeve evropiane, dhe i bërë gati nga qeveria me kaq nxitim, dëshmon për pangopësinë, babëzinë dhe paaftësinë për të menaxhuar me institucionet e shtetit.

Në emër të standardeve të cilat po u plotësuakan vetëm në qoftë se i japim mandatin e kontrollit sanitarë të mishit një kompanie të “specializuar” ndërkombëtare për të sjellë produkte të mishit në Kosovë, po na dëshmohet qartë se kush po na udhëheqë dhe sa keq i kemi punët.

Z. Kryeministër arritje të standardit në këtë drejtim do të kishim sikur ju me njerëzit dhe institucionet që i menaxhoni, të krijoni mekanizmin e një kontrolli shumë kualitativ të artikujve ushqimorë që hynë në Kosovë dhe jo vetëm të produkteve të mishit por të gjithë artikujve sepse shumë mirë e dini dhe ju vetë se nuk konsumojmë vetëm mish por dhe mijëra artikuj të tjerë që na vijnë nga jashtë Kosovës. Bile në situatën në çfarë po na katandisni ju, më së paku do të ketë mish në sofrat tona.

Laboratorët ekzistojnë në Kosovë, ato kanë mundësinë të na japin rezultate shumë të sakta lidhur me cilësinë dhe pastërtinë e mishit dhe produkteve tjera ushqimore që hynë në vendin tonë dhe konsumohen. Administrimi i mirë i agjencisë së veterinarisë nëpër pikat kufitare të Kosovës do të ishte standard i përmbushur edhe për Evropën edhe për popullin që konsumon ato produkte.

Natyrisht, e dimë se ekzistojnë edhe ato lloj biznesmenësh qe një kamion e fusin nga pika doganore e njëqind nga rrugët e malit, ndaloni këta z. kryeministër, do të ju vlerësonte edhe populli edhe Evropa. Po të vendosni kontrollet e duhura neper pikat doganore nuk do te mund te hynë mishra pa cilësi gjithsesi do tu ndihmonit bizneseve te ndershme legale, shumë më shumë para do te shkojnë në arkën e shtetit dhe shumë më lehtë do t’ia dalin ata për të cilët brengoseni se ushqehen keq.

Nëse vërtetë keni ndjesinë për kequshqyerjen e popullit po ju kujtoj një fakt. Të gjithë ata te cilët kanë parat e mjaftueshme dinë të zgjedhin çfarë të blejnë për tu ushqyer, hallin duhet pas për ata qe nuk kanë mjaft për te blerë dhe ata qe nuk kanë me çfarë të blejnë e i keni lanë në mëshirën e fatit, vendet e punës kaq shumë të premtuara nga ju kanë filluar ti ngjasojnë përrallave.

Këtë standard që po e proklamoni nuk ta ka kërkuar askush të paktën jo Evropa dhe populli i Kosovës, ndoshta ndonjë grup shumë i ngushtë. Moskryerja e mire e punës në dogana dhe në cilëndo agjenci shtetëror nuk është asgjë tjetër përveç DËSHTIM. Gjithsesi, ky dështim për të menaxhuar me institucionet relevante nuk ju lejon të bëni fiskulturat e paralajmëruara nga ju.

Këta pronarë të bizneseve kanë bërë investime milionëshe në teknologji dhe në staf, janë konform standardeve, teknologjia e shumicës është e fjalës se fundit, kanë investuar në specializimin e stafit dhe nuk është Kosova siç po doni ta paraqitni ju. Këta biznesmen kanë planifikuar për te ardhmen e bizneseve të tyre, janë në investime dhe në obligime mos u hyni në hak as bizneseve dhe as atyre mijëra punëtorëve që punojnë aty.

Lavdëroheshit se në punimet e rrugëve të cilat po prishen ende pa u përfunduar keni futur në punë 4 mijë njerëz edhe pse ajo është punë e përkohshme sezoni dhe kthimi nga ato investime është fare pak ose hiq. Me ketë udhëzim po largoni 4 mijë të tjerë që kishin një vend pune dhe që çdo muaj nga pagat e tyre hynin dhjetëra mijëra euro në arkën e shtetit.

Zotimet e premtimet e juaja ishin krejt ndryshe. Njerëzve që ju besuan dhe disa edhe ju votuan, po ua ktheni shumë keq, veprimet dhe vendimet e qeverise janë bërë makth për popullin. Kujt po i kontribuoni? Ndaluni, mendoni dhe kuptoni se kështu nuk i kontribuoni shtetit. Doni të vëni dorë në gjithçka që merr frymë në ketë shtet tonin.

Me gjithë deklarimet e juaja që ju vini nga një parti me orientim të djathtë, por veprimet e juaja të deritanishme po dëshmojnë të kundërtën, po doni të ngjasoni shumë me diktatoret e famshëm qe ka njohur bota. Totalitarizmi i juaj i derisotëm nuk po na lejon te mendojmë ndryshe. Secila qeveri në boten e civilizuar angazhohet dhe krijon politika favorizuese sidomos për prodhuesit dhe bizneset vendore.

Nuk dijë ku do të arrini me këto qe po i bëni, një gjë po më ngrohë dhe kam besimin që qëllimi i juaj nuk do të arrihet. Mbi të gjitha më vjen mirë që kjo që komplotuat në dëm të bizneseve vendore po të donit ta shndërronit në ligj, nuk do të arrinit ngase qysh tani për këtë jeni kundërshtuar. Pasi që ligji duhet dekretuar nga Presidenti i cili është shprehur kundër kësaj, ju në mënyrë tinëzare shpejtazi duke anashkaluar të gjithë, shpikët “zgjidhjen” me një udhëzim administrativë, ju menduat se qytetarët hanë barë.

Z. Kryeministër ju lutem të merrni shembull qeverinë Berisha dhe mundohuni ta kopjoni ndopak se ju bën mirë, assesi mos shihni shpresën tek ata që i përkrahët dhe humbën.