Stadiumi i qytetit në Gjakovë po merr formë, nënshkruhet kontrata për mbulimin dhe ndriçimin e tij
Puna e vrazhdë në stadiumin e qytetit në Gjakovë ka përfunduar dhe tashmë punimet po vazhdojnë me intensitet të madh.
Projekti madhor sportiv po hyn në një fazë vendimtare, duke i dhënë edhe më shumë gjallëri pritjes së qytetarëve dhe sportdashësve gjakovarë.
Pas përfundimit të infrastrukturës bazë, tashmë është nënshkruar kontrata për mbulesën dhe ndriçimin e stadiumit.
Ky zhvillim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt finalizimit të njërës prej veprave më të mëdha sportive të ndërtuara ndonjëherë në vendin tonë.
Investimi në këtë fazë është siguruar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke garantuar mbështetje të fortë institucionale për realizimin e plotë të këtij projekti.
Në këtë kuadër, Komuna e Gjakovës ka konfirmuar edhe njëherë përkushtimin e saj për ta çuar deri në fund këtë iniciativë që pritet të kthehet në një krenari për qytetin dhe gjithë Kosovën.
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini falënderoi Ministrin e MKRS-së, Hajrulla Çekun derisa shtoi se Komuna e Gjakovës mbetet e përkushtuar për përmbushjen e përgjegjësive të saj.
“Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se sot u nënshkrua kontrata për mbulesën dhe ndriçimin e stadiumit të qytetit në Gjakovë. Ky është një hap i madh dhe mjaft i ndjeshëm në kuadër të njërit prej projekteve më të mëdha dhe më ambicioze të ndërtuara ndonjëherë në vendin tonë.
Financimi i kësaj faze mbulohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe për këtë shpreh falënderim për Ministrin Çeku dhe bashkëpunëtorët e tij".
"Ashtu si gjithmonë, Komuna e Gjakovës mbetet e përkushtuar në përmbushjen e përgjegjësive të saj. Jam i bindur se shumë shpejt qytetarët e Gjakovës dhe të Kosovës do ta shohin këtë stadium të shpaloset në të gjithë madhështinë e vet", shkroi Gjini. /Telegrafi/


