Please enter at least 3 characters.

Spitali i Gjakovës nis Skriningun Neonatal për zbulimin e hershëm të pesë sëmundjeve tek të porsalindurit

Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës ka bërë të ditur se nga kjo javë ka filluar ofrimin e Skriningut Neonatal për të gjitha foshnjat e porsalindura që lindin në këtë institucion shëndetësor.

Sipas njoftimit, ky test mundëson zbulimin e hershëm të pesë sëmundjeve të rënda, përfshirë hipotiroidizmin kongjenital, fenilketonurinë (PKU), fibrozën cistike, galaktozeminë dhe atrofinë muskulore spinale (SMA).

Nga spitali theksohet se diagnostikimi i hershëm i këtyre gjendjeve shëndetësore është me rëndësi të veçantë, pasi mundëson trajtim në kohë dhe përmirëson ndjeshëm perspektivën për shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve.

“Risi në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës. Nga kjo javë ka filluar të ofrohet Skriningu Neonatal për të gjitha foshnjat e porsalindura në spitalin tonë”, thuhet në njoftim.

Ky hap vlerësohet si një avancim i rëndësishëm në shërbimet neonatale dhe në kujdesin shëndetësor për të porsalindurit në Spitalin e Gjakovës. /Telegrafi/