Please enter at least 3 characters.

Sot përpjekja e 24-të për konstituimin e Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot për herë të 24-të, në përpjekje për ta konstituar Kuvendin. Seanca pritet të fillojë në orën 10:30.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, në seancat e mëhershme ka kërkuar që të kalohet në mënyrë të fshehtë votimi për kryeparlamentare, por që subjektet politike PDK, LDK, AAK, nuk po votojnë pro komisionit zgjedhor për këtë votim, transmeton Telegrafi.

Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk po siguron votat e mjaftueshme për të zgjedhur Kryetaren e Kuvendit. Kandidatja e propozuar nga LVV për këtë post, Albulena Haxhiu, nuk ka marrë përkrahjen e nevojshme.

Subjektet politike, PDK, LDK, AAK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun për këtë pozitë. Ndërsa, LVV ka deklaruar se nuk do ta ndërrojë kandidaten e tyre.

Seancat janë duke u mbajtur çdo 48 orë, por asnjëherë nuk është arritur kuorumi apo konsensusi i nevojshëm për të votuar udhëheqësen e legjislativit, çka po e mban të bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja./Telegrafi/