Socrates: Status-quoja është e paqëndrueshme
"Bashkimi Evropian po i përkrahë dhe po merr pjesë në mënyrë aktive në përpjekjet e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare, treshes, në afrimin e qëndrimeve të palëve dhe arritjen e një marrëveshjeje politike që do të shpinte drejt një Kosove demokratike multi-etnike, konsolidimin e stabilitetit në Ballkan”, ka deklaruar ministri portugez i Punëve të Jashtme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
"Apelojmë tek të gjitha palët që të mbesin aktive në këtë proces, ndërsa BE-ja është e gatshme të vazhdojë të luajë rolin aktiv, në zbatimin e zgjidhjes së ardhshme”, ka theksuar Socrates.
Berisha e Basha lobojnë në New York
Lobing për Kosovën në New York, po bëjnë kryeministri shqiptar, Sali Berisha, dhe ministri i Politikës së Jashtme, Lulzim Basha.
Basha ka takuar shefin e politikës së jashtme dhe të sigurisë të BE-së, Javier Solana, ministrin e Jashtëm francez, Bernard Kouchner, atë spanjoll, Moratinos, si edhe ministren e Jashtme greke, Dora Bakoyannis.
Siç raportojnë mediat shqiptare, Bakoyannis ka përkrahur qëndrimin e Tiranës zyrtare që procesi të përmbyllet në fund të 120-ditëshit, në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës për pavarësinë.
Në takimet e shumta që ka pasur ministri Basha ka vënë theksin te rëndësia e qëndrimit unik të BE-së për Kosovën. “Pavarësia e Kosovës i kontribuon jo vetëm paqes dhe stabilitetit në rajon, por edhe integrimit evro-atlantik të vendeve të Evropës Juglindore”, ka thënë Basha.


