Skuadra gjermane synon transferimin e dy futbollistëve kosovarë, Lustrinelli dëshiron ribashkimin me mesfushorët
Union Berlin po synon të forcojë skuadrën për sezonin e ri, me dy mesfushorë që kanë qenë vendimtarë në suksesin e FC Thun, nën drejtimin e trajnerit Mauro Lustrinelli.
Sipas raportimeve në mediat e ndryshme zvicerane dhe gjermane , Lustrinelli, i cili sezonin e kaluar udhëhoqi Thun drejt një titulli surprizë kampioni në Zvicër, po kërkon të ribashkohet me lojtarët që ishin shtylla kryesore e atij suksesi, për të ndërtuar një projekt konkurrues në Bundesligë.
Në listën e dëshirave të trajnerit përmenden Valmir Matoshi, reprezentues i Kosovës, dhe Kastriot Imeri, reprezentues i Zvicrës. Të dy mesfushorët ishin pjesë kyçe e Thun në sezonin historik të shpalljes kampion, duke formuar një dyshe të rëndësishme në mesfushë dhe duke luajtur rol vendimtar në stabilitetin dhe kreativitetin e skuadrës.
Trajneri Lustrinelli dëshiron që këtë dyshe ta ketë sërish në dispozicion edhe te Union Berlin, duke besuar se njohja e tyre me sistemin e tij të lojës mund të ndihmojë në adaptimin e shpejtë të ekipit në Bundesliga.
Matoshi, i cili ka qenë një nga lojtarët më të spikatur në sezonin e fundit me Thun, shihet si një profil që përshtatet në mënyrë ideale me stilin e lojës së Lustrinellit, ndërsa Imeri ka ofruar balancë dhe kreativitet në mesfushë gjatë gjithë kampanjës.
26-vjeçari Matoshi regjistroi 30 paraqitje në kampionat, me 6 gola dhe 8 asistime, ndërsa të dy lojtarët mbeten nën kontratë me klubet e tyre aktuale, çka e bën çdo transferim të mundshëm të varur nga negociatat e afërta gjatë merkatos verore. /Telegrafi/


