Skënder Ajeti: 12 vjet kryetar i klubit kryeqytetas, nuk më përfshinë në librin e FHK-së
Ai e konsideron si veprim jo të mirë të FHK-së, pasi, sipas tij, në libër nuk përmendet as emri i tij si kryetar i klubit, as i trajnerit dhe as sukseset e Prishtinës në atë periudhë.
“Nuk di nga i kanë marrë shënimet. Është dashur të pyetem edhe unë, jo që unë t’u tregoj çka të bëjnë, por vetëm t’u tregoj se unë kam qenë kryetar i Prishtinës dhe e di shumë mirë në atë periudhë se si kanë shkuar gjërat”, ka theksuar Ajeti.
Më tej, ai e ka fajësuar edhe kryesinë e re të Prishtinës, që sipas tij, është dashur të ndërhyjë për të përmendur periudhën e klubit në atë kohë.
Në deklaratën e tij, Skënder Ajeti tregon: “Në vitin 1970 jam zgjedhur kryetar i klubit të hendbollit Kosova që tashmë quhet Prishtina. Ekipi i meshkujve ka luajtur në ligën e Kosovës, kurse ekipi i femrave ka bërë gara në ligen e përbashkët të Serbisë, deri në vitin 1972. Në të njëjtin vit në turneun për kualifikime për Ligën e dytë federative, grupi i jugut. Në grup kanë bërë gara Serbia, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Jemi renditur në vendin e parë dhe kemi hyrë në Ligën e dytë të Serbisë. Rezultatet kanë qenë të jashtëzakonshme në këtë rang të garave. Deri në vitin 1978 kam qenë kryetar i kryesisë së klubit të hendbollit Prishtina. Unë jam kthyer në klub në periudhën 1984-1988, ku kam qenë përsëri kryetar. Unë i kam udhëhequr dy gjenerata të lojtarëve. Gjeneratën e viteve shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë”. Në këtë periudhë, trajner i klubit ishte Agim Ajeti.


