Please enter at least 3 characters.

Skandali në derbin serb: Një minutë heshtje për Ratko Mlladiqin, kriminelin e dënuar nga Haga

Një ngjarje skandaloze ka ndodhur para derbit të 180-të të përjetshëm mes Crvena Zvezdës dhe Partizanit në kuadër të xhiros së tetë të Superligës së Serbisë.

Para fillimit të ndeshjes, tifozët e Partizanit nisën thirrjet në mbështetje të Ratko Mlladiqit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Situata mori përmasa edhe më skandaloze kur, para fillimit të ndeshjes në stadiumin “Rajko Mitiq”, u mbajt një minutë heshtje për Mlladiqin, e shoqëruar me koreografi në tribunat e stadiumit.

Mlladiqi u shpall fajtor në Hagë për përgjegjësinë e tij në disa prej krimeve më të rënda të kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë, ku u vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë.

Mbajtja e një minute heshtjeje në nderim të një personi të dënuar me burgim të përjetshëm për krime të rënda lufte ka shkaktuar reagime të ashpra dhe është një tjetër shembull i atmosferës së rëndë që shpesh e shoqëron derbin më të madh të futbollit serb./Telegrafi/