Please enter at least 3 characters.

Skandal në Britani të Madhe - opozitari filmohet fshehurazi duke diskutuar financime sekrete

Kreu i një partie opozitare në Britani të Madhe, Nigel Farage dhe figura të tjera të larta të Reform UK janë filmuar fshehurazi duke diskutuar financime të padeklaruara nga jashtë Britanisë. Hetimi i Channel 4 News dhe grupit investigativ Verbatim ngre dyshime për shkelje të ligjeve britanike mbi financimin e partive politike.

Sipas hetimit, zyrtari i Reform UK, James Orr, dhe bashkëpunëtori i Farage, Dan Jukes, organizuan që një kompani amerikane të financonte tri sondazhe politike të porositura nga partia. Sondazhet, me vlerë totale prej 32500 funte (37 mijë euro), u publikuan në media si kërkime të pavarura.

Gazetarët investigativë u paraqitën si një amerikan i pasur dhe djali i tij që jetonte në Britani. Ata krijuan një kompani dhe paguan sondazhet, ndërsa drejtuesit e Reform UK nuk e dinin se po komunikonin me gazetarë të infiltruar.

Në fund të muajit korrik, Farage u takua me gazetarët e fshehtë gjatë një darke në zonën e tij elektorale në Clacton. Ai e cilësoi sondazhin si “të jashtëzakonshëm” dhe me “vlerë të madhe për paratë”, duke shtuar: “Funksionoi. Bum.”

Gjatë bisedës u diskutua edhe një donacion i mundshëm prej 581 mijë euro për Reform UK. Sipas planit, paratë do të vinin nga babai i djalit në SHBA, ndërsa donatori zyrtar do të paraqitej djali që jetonte në Britani.

- YouTubewww.youtube.com

Eksperti i ligjit zgjedhor Bob Posner, ish-drejtor ekzekutiv i Komisionit Zgjedhor, tha se provat ngrenë dyshime për “vepra të rënda penale” dhe bëri thirrje për nisjen e një hetimi penal.

Hetimi zbuloi gjithashtu se James Orr kishte diskutuar më herët mënyra për të financuar sondazhe pa e bërë publike lidhjen me Reform UK. Në një bisedë, ai tha se një pagesë e tillë mund të konsiderohej “donacion në natyrë”, por shtoi se askush nuk do ta merrte vesh.

Dan Jukes e përshkroi marrëveshjen për sondazhet si “jashtëzakonisht të rëndësishme” dhe tha se ato kishin pasur ndikim të madh. Ai i quajti këto iniciativa “projekte të vogla klandestine” dhe theksoi se ato nuk shfaqeshin në të dhënat publike.

Sipas hetimit, tri sondazhet u publikuan në media të mëdha britanike, përfshirë Telegraph dhe Times, pa u bërë e ditur përfshirja e Reform UK në porositjen ose financimin e tyre. Asnjëra prej pagesave nuk rezulton të jetë deklaruar si donacion te Komisioni Zgjedhor.

Reform UK, Farage, Jukes dhe Orr nuk komentuan në mënyrë substanciale gjetjet e hetimit dhe, sipas Channel 4 News, i mohojnë akuzat. Komisioni Zgjedhor tha se informacioni mbi përpjekjet e mundshme për t’iu shmangur rregullave të financimit duhet t’i referohet policisë. /Telegrafi/