Si uleni me partnerin në divan? Këto 7 pozita zbulojnë gjithçka për lidhjen tuaj
Pozicioni i uljes së çifteve në divan mund të zbulojë asociacione interesante me karakteristikat e marrëdhënies. Këmbët në prehrin e partnerit demonstrojnë dominim dhe nevojë për vëmendje
Si uleni ju dhe partneri juaj në mbrëmje në divan? A mbështeteni pranë njëri-tjetrit apo ka gjithmonë një distancë të vogël mes jush? Pozicioni i uljes shpesh mund të tregojë më shumë sesa mendojmë, edhe atëherë kur nuk jemi të vetëdijshëm për këtë.
A ju pëlqen më shumë të uleni të përqafuar në divan apo preferoni të keni mjaftueshëm hapësirë vetëm për vete dhe telekomandën në dorë? Mënyra se si vendoseni në divan mund të tregojë shumë për lidhjen tuaj emocionale. Nuk është njësoj nëse uleni të përqafuar në mes, në cep, apo i keni hedhur këmbët mbi prehrin e partnerit. Çfarë thotë kjo në të vërtetë për marrëdhënien tuaj? Me këtë pyetje është marrë ekspertja dr. Georgina Barnett, e cila ka analizuar shtatë pozicionet më të shpeshta të uljes së çifteve, transmeton Telegrafi.
Ulja veç e veç në dy divane
Ulja e ndarë në dy divane shfaqet shpesh në lidhje të gjata dhe nuk do të thotë domosdoshmërisht se ka probleme në marrëdhënie. Ka më shumë gjasa që partnerët me kalimin e viteve thjesht janë mësuar shumë me njëri-tjetrin dhe kjo mënyrë u përshtatet. Secili ka qetësinë e vet, jastëkun e vet dhe pse jo, edhe pjesën e vet të kokoshkave.
Megjithatë, mungesa e afërsisë ndonjëherë mund të tregojë se partnerët me kalimin e kohës kanë zhvilluar një lloj mosinteresimi për njëri-tjetrin ose madje jetojnë mjaft të ndarë.
Këmbët në prehrin e partnerit
Kushdo që vendos këmbët mbi partnerin, në fakt po merr kontrollin. Personi që mban këmbët lart, në njëfarë mënyre kërkon vëmendje dhe zë një pozicion më dominues, jo vetëm në atë moment, por ndoshta edhe në marrëdhënie në përgjithësi.
Ulur pranë njëri-tjetrit, preken, por nuk përqafohen
Ky është pozicioni i një çifti të lumtur dhe të kënaqur. Ndoshta “fluturat në bark” kanë ikur prej kohësh, por të dy partnerët janë ende të lidhur ngushtë dhe përpiqen të ruajnë kontaktin fizik. Çiftet që ulen kështu në divan kanë besim në lidhjen e tyre. Këtu afërsia kombinohet bukur me lirinë, pak prekje, pak hapësirë, një mesatare e artë perfekte.
Ulja në skajet e kundërta të divanit
Ky pozicion, kur partnerët ulen në skajet e kundërta të divanit, shpesh vizualisht pasqyron gjendjen aktuale të lidhjes. Zakonisht bëhet fjalë për një çift që është distancuar nga njëri-tjetri, sidomos nëse më parë uleshin shumë pranë. Ky pozicion shpesh shfaqet edhe pas një zënke, kur njëri partner dëshiron të theksojë pakënaqësinë e tij. “Nuk flasim, por serialin prapë e shikojmë bashkë.”
Përqafim në cep të divanit
Nëse të dy partnerët përqafohen në cep të divanit, kjo tregon një afërsi të fortë. Megjithatë, ky pozicion mund të pasqyrojë edhe një pabarazi pushteti mes tyre. Partneri që është shtrirë dhe ka zënë cepin dominon hapësirën, e ndoshta edhe vetë lidhjen. Partneri tjetër mund të jetë më pak i sigurt në vete, të kërkojë kontakt dhe fjalë për fjalë të ngjitet pas tjetrit, si një kotele që kërkon pak më shumë vëmendje.
Përqafim në mes të divanit
Ky është pozicioni më i butë në divan. Bëhet fjalë për një lidhje plot barazi dhe lidhje të vërtetë, fokusi kryesor i atij momenti të përbashkët është thjesht të jeni bashkë. Ky pozicion shihet shpesh në fazën e hershme të lidhjes, kur pasioni është ende shumë i fortë dhe bota ngushtohet vetëm te ju të dy dhe seriali juaj i preferuar.
Përqafim në cep me këmbë të mbledhura
Ai që i mban këmbët të mbledhura zakonisht kërkon ngushëllim dhe ndjenjë sigurie. Personi në cep ka tendencë të jetë pala më e fortë në lidhje. Partneri tjetër, në një pozicion pothuajse fetal, kërkon mbrojtje dhe mbështetje te partneri i tij “më i fortë” dhe ndoshta edhe një batanije shtesë, për çdo rast.
Asnjë pozicion më vete nuk do të thotë se lidhja është perfekte apo në krizë. Më e rëndësishmja është që të ndiheni mirë bashkë, pavarësisht se si uleni. Dhe nëse gjatë kësaj ka edhe pak përqafime, aq më mirë. /Telegrafi/


