Please enter at least 3 characters.

Shqiptarët nuk duhet të çojnë dorë kundër Amerikës

Në vitin ‘99 ish- kryetari amerikan Bill Clinton kur u sigurua se ka mbështetjen e popullit amerikan lidhur me bombardimet pa hezitim urdhëroi forcat amerikane të bëhen pjesë e NATO-s dhe ta sulmojnë Serbinë, e cila po shkaktonte gjenocid dhe dëbim masiv ndaj popullsisë shqiptare me përkatësi shumicë myslimane. Ne mesin e të shpëtuarve dhe fatlumëve isha edhe unë si 6 vjeçar.

Me shumë rreziqe arritëm të kalojmë kufirin e Maqedonisë duke i dhënë një polici maqedonas të vetmet 100 marka që kishim mbi shpirtin tonë dhe falë atyre arritëm ta kalojmë atë kufi të mallkuar. Pas mëse tre muajsh qëndrimi në kampet e Maqedonisë më në fund fituam statusin e refugjatit në SHBA. Atje hasëm në një mikpritje të jashtëzakonshme dhe përkujdesje maksimale. Përpos që hoqëm frikën nga policia u liruam edhe nga varfëria.

Të njëjtin fat sikur timin e patën shumë kosovarë, në mesin e tyre edhe i dyshuari për terrorizëm, Hysen Sherifi, nga North Carolina. Ky mosmirënjohës nuk ka bërë asgjë, përpos që na e mori fytyrën ne shqiptarëve në Amerikë.

Jam i bindur se autoritetet amerikane e konsiderojnë këtë rast të izoluar, duke ditur cilësitë që ka populli shqiptar i Kosovës. Megjithatë, me brengos fakti që opinioni amerikanë do të mund të marrë pozicion gjykues ndaj këtij rasti, jo duke u mbështetur në individin që është përfshirë në këtë rast, por në gjithë kosovarët.

Përveç `99-tës, e kujtoj edhe vitin 2001 - sulmet e 11 shtatorit kur Shqipëria përkrahu fuqishëm luftën kundër terrorizmit me dërgimin e forcave në Afganistan dhe më pas në Irak. Kudo ku ne prezantoheshim si `albanian` kishim një respekt nga vendësit, të cilët na konsideronin miq.

Ne shqiptarëve në Amerikë na mbetet të përballemi çdo ditë me amerikanët, ndaj konsideroi se veprimi i djaloshit nga Kosova ka dëmtuar rëndë imazhin tonë dhe do të mund të ketë edhe konsekuenca praktike.

Druaj se kur do të më vije radha ta regjistrohem në fakultet, përshtypja e parë e atyre që shohin dosjen time do të jetë si “terrorist i mundshëm”. Duke qenë shqiptar, emri im ka mundësi të shënjohet me të gjelbër dhe natyrisht të refuzohet.

Uroj që nga dora e shqiptarëve të mos u ndodh asgjë miqve të përjetshëm amerikanë, sepse ne nuk mund ta konceptojmë të ardhmen tonë pa ta. Ata ishin dhe janë shpresa jonë për ecjen përpara në forcimin e shtetit tonë më të ri në botë.