Please enter at least 3 characters.

Shqipëria i hap rrugën prodhimit të dronëve luftarakë dhe mjeteve lundruese

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur vendimet e Këshillit të Ministrave, të cilat lidhen me autorizimin e shoqërisë “KAYO” për të negociuar dhe lidhur marrëveshje me dy kompani, me synim ndërtimin e mjeteve lundruese dhe dronëve.

Ai theksoi se këto vendime janë domethënëse, duke shtuar se për herë të parë krijohet mundësia për prodhimin e mjeteve lundruese në Shqipëri, gjë që sipas tij përbën një hap të rëndësishëm për industrinë dhe punësimin.

“Janë dy VKM që janë miratuar për autorizimin e shoqërisë “Kayo” për të negociuar për të lidhur marrëveshje me dy kompani për krijimin e mjeteve lundruese në Shqipëri dhe mjeteve fluturuese pa pilot, pra dronët luftarakë. Këto dy vendimet të Këshillit të Ministrave janë domethënëse. Është hera e parë që në Shqipëri pas kaq kohësh po krijohet mundësia për prodhimin e mjeteve lundruse. Kjo na bën krenarë. Po ashtu sot miratuam katër akte që lidhen me ministrinë e Mbrojtjes, dy prej tyre lidhen specifikisht me forcat e armatosura dhe pjesëmarrjen e tyre në misione ushtarake ndërkombëtare. Pjesëmarrja e forcave tona në këto misione tregon jo vetëm përgatitjen që kanë efektivët tanë si nga ana ushtarake edhe nga ana civile, por gjithashtu tregon edhe faktin që ne jemi aktorë aktivë në të gjithë ndërmarrjet e përbashkëta në misionet e huaja dhe tregon që kjo pjesëmarrje kthehet në Republikë duke sjellë njohuritë e përfituara nga kryerja e operacioneve komplekse dhe në shkallë botërore”, tha ai.

I pyetur në lidhje me konfliktin SHBA–Iran dhe nëse Shqipëria do të ishte e gatshme të lejonte përdorimin e bazës së Kuçovë nga SHBA, ministri i Mbrojtjes u shpreh se një vendim i tillë mbetet për t’u vlerësuar në varësi të zhvillimeve.

Ai theksoi se Shqipëria gëzon një marrëdhënie strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por shtoi se mbetet për t’u parë nëse një kërkesë e tillë do të paraqitet nga pala amerikane.

“Mbetet për tu vlerësuar nëse një kërkesë e tillë do të vijë. Shqipëria ka një marrëdhënie strategjike me SHBA-në. Mbetet për t’u vlerësuar dhe për t’u parë nëse një kërkesë e tillë do të vijë zyrtarisht nga pala amerikane. Baza e Kuçovës është bazë e NATO-s dhe e gjithë vendimarrja që lidhet me këtë pyetje lidhet me angazhimin e Shqipërisë në aleancë”, tha ai./Telergafi/.