Shpërthen Llapi ndaj Gjilanit, merr fitoren e parë dhe dridh seriozisht pozicionin e Ardian Nuhiut
Llapi ka arritur të shënojë fitoren e parë këtë sezon, duke mposhtur Gjilanin me rezultat 4-1, në kuadër të javës së shtatë në Superligën e Kosovës.
Të besuarit e Tahir Batatinës, të vetëdijshëm se ende nuk kishin fitore, e nisën furishëm ndeshjen, duke e zgjidhur pothuajse gjithçka që në pjesën e parë.
Alex Gnapi shënoi që në minutën e tretë me kokë, pas një harkimi nga këndi, për 1-0.
Në minutën e 22-të, Lulzim Peci dyfishoi epërsinë në 2-0, duke treguar se Llapi ishte i vendosur për fitoren.
Pak para mbylljes së pjesës së parë, Arbnor Ramadani shënoi golin e tretë, duke e dërguar Llapin në pushim me një epërsi të konsiderueshme.
Me fillimin e pjesës së dytë, dilemat për fituesin morën fund, kur Gnapi realizoi golin e dytë personal dhe të katërtin për Llapin, 4-0.
Gjilani arriti të shënojë vetëm një gol ngushëllues me Almir Aganspahić, duke e vendosur rezultatin përfundimtar 4-1.
Pas kësaj fitoreje, Llapi ngjitet në pozitën e tetë me 6 pikë, ndërsa Gjilani mbetet në vendin e shtatë me vetëm një pikë më shumë. /Telegrafi/


