Please enter at least 3 characters.

Shkaku i konfliktit me Arabinë, Egjipti mbeti jashtë marrëveshjes ushtarake - Turqia dërgoi një propozim, Riadi e bllokoi atë

Arabia Saudite kundërshtoi përfshirjen e Egjiptit në marrëveshjen e sigurisë të nënshkruar javën e kaluar nga Turqia dhe Pakistani, pavarësisht përpjekjeve të Ankarasë për ta përfshirë Kajron.

Sipas “Middle East Eye”, qëndrimi i Riadit lidhet me pakënaqësinë ndaj qeverisë së presidentit Abdel Fattah el-Sisi dhe vlerësimin se Egjipti ka humbur një pjesë të rëndësisë së tij strategjike dhe ushtarake.

Marrëveshja parashikon që një sulm i armatosur ndaj cilitdo prej tre vendeve të konsiderohet sulm ndaj të gjithëve. Arabia Saudite e ka paraqitur atë si mekanizëm për forcimin e mbrojtjes së përbashkët, edhe pse nuk përcakton qartë mënyrën e reagimit apo ndihmës ushtarake në rast krize.

Tensionet mes Riadit dhe Kajros janë të vjetra. Arabia Saudite ishte një nga mbështetësit kryesorë financiarë të Sisit pas marrjes së pushtetit në vitin 2013, duke dhënë miliarda dollarë për ekonominë egjiptiane.

Megjithatë, Riadi është gjithnjë e më i pakënaqur me atë që e konsideron mungesë të mbështetjes reciproke nga Egjipti në çështjet e sigurisë, veçanërisht në luftën kundër rebelëve Houthi në Jemen.

Pakënaqësia saudite është shtuar edhe për shkak të afërsisë së Kajros me Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas “Middle East Eye”, Egjipti ka ndihmuar Emiratet me sisteme të mbrojtjes ajrore dhe avionë luftarakë, ndërsa Sisi ka zhvilluar kontakte të shpeshta me presidentin e emirateve, Mohammed bin Zayed gjatë konfliktit me Iranin.

Nga ana tjetër, Turqia ka shprehur dëshirën që Egjipti të bashkohet në të ardhmen. Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, e cilësoi Kajron “partner natyror” të Ankarasë, ndërsa zyrtarë turq thanë se janë bërë përpjekje të konsiderueshme për përfshirjen e Egjiptit. Megjithatë, vendet pjesëmarrëse vendosën të vazhdonin pa të.

Zyrtarët sauditë vlerësojnë se Turqia dhe Pakistani mund të ofrojnë kapacitete më të mëdha ushtarake, falë industrisë së mbrojtjes turke dhe ushtrisë së fuqishme pakistaneze. Megjithatë, dera për Egjiptin nuk konsiderohet e mbyllur përgjithmonë. Anëtarësimi i tij mund të shqyrtohet në të ardhmen, nëse marrëdhëniet përmirësohen dhe Kajro dëshmon se është partner më i besueshëm. /Telegrafi/