Please enter at least 3 characters.

Shfaqen grafite me emrin e Ratko Mladiq në Bujanoc, Mustafi: Dëshmi e rrënimit të sigurisë

Politikani nga Lugina e Preshevës, Ragmi Mustafi, ka njoftuar se në qendër të Bujanocit janë shfaqur grafite me emrin e kriminelit të luftës, Ratko Mladiq.

Në një postim në Facebook, ai e ka cilësuar këtë akt si dëshmi të rrënimit të sigurisë publike dhe mungesës së reagimit institucional.

“Në një qytet me shumicë shqiptare, në vitin 2025, të shfaqet publikisht emri i gjeneralit të dënuar për gjenocid në Srebrenicë, bashkë me simbole nacionaliste e urrejtëse, është dëshmi e qartë e rrënimit të sigurisë publike dhe mosndëshkimit institucional”, ka shkruar Mustafi.

Ai ka rikujtuar se edhe më herët janë shënuar incidente të ngjashme në këtë qytet.

“Në gusht, u thye billboard-i i Komandant Lleshit, në përvjetorin e rënies së tij. Asnjë reagim nga autoritetet. As policore. As institucionale. Paraprakisht ishin shfaqur grafite me thirrje për vrasje të shqiptarëve dy herë tek Shtëpia e Shëndetit. Prapë heshtje. Sot, kemi këtë: ‘РАТКО МЛАДИЋ’ me të kuqe në qendër të qytetit me katër C. E njohim mirë këtë stil. Nacionalizëm, provokim dhe frikësim i qëllimshëm i shqiptarëve në vendin e tyre”, ka shtuar ai.

Mustafi kërkoi reagim urgjent nga institucionet, duke paralajmëruar se tolerimi i këtyre akteve vetëm sa rrit tensionet dhe cenon sigurinë e qytetarëve shqiptarë në Luginë./Telegrafi/