Sherr për parking në Mitrovicë, dy të arrestuar dhe një pistoletë e konfiskuar
Një mosmarrëveshje për një vendparkim ka përfunduar me kërcënime dhe përfshirje të armëve zjarri në rrugën "Agim Ramadani – Katana" në Mitrovicë.
Si pasojë, dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës.
Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 11:58, kur dy të dyshuar meshkuj kosovarë janë përfshirë në një konflikt verbal që më pas ka eskaluar. Sipas Policisë, njëri nga të dyshuarit ka kërcënuar verbalisht tjetrin, ndërsa i dyshuari tjetër ka marrë një pistoletë nga vetura e tij dhe e ka futur në xhep, megjithëse nuk e ka përdorur armën.
Njësitë policore kanë ndërhyrë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nga njëri i dyshuar kanë konfiskuar një pistoletë me 21 fishekë.
Të dy personat janë shoqëruar për intervistim dhe, me vendim të prokurorit të rastit, janë dërguar në mbajtje. Rasti është klasifikuar si "Kanosje" dhe "Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve".
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.


