SHBA-ja sanksionon një bankë në Turqi që ka lidhje me Iranin
Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara ka vendosur sanksione ndaj një banke në Turqi, të cilën e ka përshkruar si një linjë financiare jetike për Iranin.
Siç thuhet në faqen e OFAC-it, është sanksionuar banka me seli në Stamboll, Golden Global Bank, e cila, sipas informacioneve amerikane, ka transferuar shuma të mëdha parash të paguara nga Kina për naftën iraniane, duke i kanalizuar të ardhurat drejt Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
Sanksionet ndaj një institucioni financiar në një vend aleat të NATO-s shënojnë përshkallëzim të operacionit të drejtuar nga sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, i cili synon t’i shkaktojë Iranit dëme aq të mëdha ekonomike sa, siç është shprehur Shtëpia e Bardhë, iranianët të pranojnë një marrëveshje ose të përballen me kolaps ekonomik.
“Institucionet financiare po e kuptojnë në mënyrën më të vështirë se ne e kemi seriozisht sa i përket Operacionit ‘I dëbuari ekonomik’. Edhe pse shpresojmë që të mos jetë më e nevojshme të sanksionojmë ndonjë bankë tjetër, kjo në fund të fundit varet nga shpejtësia me të cilën komuniteti ndërkombëtar do të vijë në vete dhe do të ndalojë mbështetjen ndaj regjimit vrasës iranian”, tha Bessent të premten lidhur me këtë aksion, raportojnë mediat.
Ai theksoi gjithashtu se autoritetet amerikane po ndjekin të gjitha veprimet që ndërmarrin institucionet në mbarë botën për të mbështetur Iranin.
“Ne e dimë kush jeni, e dimë ku jeni dhe do të vazhdojmë të veprojmë së bashku me aleatët dhe partnerët tanë derisa të varrosim kokën e gjarprit iranian”, deklaroi sekretari amerikan.
Golden Global Bank, e themeluar në vitin 2019, prezantohet si banka e parë investuese në Turqi që të gjitha aktivitetet e saj i zhvillon në përputhje me parimet e financimit pa interesa.
Sipas të dhënave të faqes së informacionit financiar TheBanks.EU, banka është e 35-ta për nga madhësia në Turqi dhe ka një pjesë të tregut më të vogël se një e dhjeta e për qindit. Golden Global kontrollon asete me vlerë rreth 517 milionë dollarë.
Megjithëse Golden Global prezantohet si një kompani profesionale, Departamenti i Thesarit ka konstatuar se banka është krijuar si pjesë e një rrjeti të dyshimtë iranian të këmbimit të quajtur “rahbar”, i përbërë nga organizata fasadë që “transferojnë të ardhurat nga nafta nga Kina në Turqi, ku ato më pas mund të shndërrohen në para të gatshme dhe ar”, thuhet në dokumentin që shpjegon masat e ndërmarra.
Departamenti i Thesarit deklaroi se banka dhe degët e saj “kanë lehtësuar transaksione me vlerë dhjetëra milionë dollarë për Forcën Quds të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC-QF) dhe i kanë ofruar regjimit iranian qasje thelbësore në shërbimet bankare korrespondente, duke i mundësuar transferimin ndërkombëtar të fondeve”. /Telegrafi/


