Please enter at least 3 characters.

SHAQIR FONIQI: NJË JETË GAZETAR!

2016/01/sh.jpg

Ka më se dyzet vjet që Shaqir Foniqi është prezent në TV, Radio dhe në revista e gazeta. I diplomuar për Gazetari, ai një jetë të tërë ia kushtoj asaj, duke dhënë maksimumin dhe duke bërë emër të dëgjuar e të respektuar!

Për punën e tij, tashmë flitet më pietet, prandaj për këtë ai ka marrë edhe epitetin, Maestro i Gazetarisë. Në të vërtetë, këtyre ditëve ka dalur Monografia “Shaqir Foniqi, Maestro i Gazetarisë”, me autor Xhemail Ali Peci dhe në botim të shtëpisë botuese “Rugova Art” e Prishtinës.

Në këtë intervistë, Foniqi flet për rrugëtimin e tij jetësor dhe profesionin e zemrës.

Telegrafi: Me të drejtë jeni vlerësuar si Epitomë e Gazetarisë, si lajmëtar i kulturës, zëri i saj e deri tek Maestro, një epitet që jo shumëkush e fiton dhe e meriton. Po, si ishte rruga juaj në gazetari e publicistikë?
Foniqi: Isha nxënës i klasës së parë të gjimnazit, “Luigj Gurakuqi” të Klinës. Në këtë vatër edukativo-arsimore, zhvilloheshin shumë aktivitete jashtëshkollore. Prej grupeve, dallohej ai letrar, ku nxirrnim edhe revistën e shkollës, “Ylli”. Në atë revistë, unë kisha botuar vjershën e parë “Çka dua” dhe aty, si për çudi, sikur kisha projektuar profesionin tim, e ai ishte gazetar televiziv. Do t’iu ‘hyja’ njerëzve brenda, si i paftuar. Kjo, ‘kuti magjike’, me pushtoi të tërin dhe, tashmë më kishte ‘pushtuar’ edhe mendjen, edhe zemrën. Që atëherë, fillova të shkruaj nëpër gazetat dhe revistat e kohës. Në një anë, po afirmohesha, e në anën tjetër po, ‘krijohesha’, po rritesha dhe po formohesha. Ishte viti i dytë, si gjimnazist dhe tashmë isha fituar epitetin, gazetar i shkollës. Me të mbaruar gjimnazin, u regjistrova në Fakultetin Juridik të Prishtinës, dega e Gazetarisë dhe Diplomacisë, ku në një konkurrencë të madhe, arrita të tuboj pikët e domosdoshme, madje i kisha tejkaluar ato. Pas studimeve, meqë isha bursist i RTP-së, u inkuadrova në RTK, ku gjeta ‘shtratin tim më të mirë’ dhe ku realizova ëndrrën time djaloshare.

Isha entuziast i madh dhe kurrë nuk kam ditur për t’u ndalur. E dija se, me punë, mund të arrija diçka, dhe, konsideroj se ia dola…RTP, e pastaj RTK, ishin shtëpia ime e parë, kurse, mendoj se kam dhënë mjaft dëshmi, se gazetarinë, jo vetëm që e kam dashtë, por edhe e kam dashuruar. Është një profesion, që, po i hyre, më nuk të lëshon. Për mua profesioni gazetar, është profesioni më i bukur në botë. Sepse, gazetaria është art, por artin s’mund ta bëjnë të gjithë. Kërkohet shumë punë, dije, sakrificë, seriozitet, pedanteri dhe gjithçka nga shumë, që të arrish pak. Më bëhet se gazetaria tek unë ka lindur para meje, dhe se për këtë profesion, kërkohet një talent, ku nëse e ndajmë në përqindje, duhet të jetë, diku 50/50!

Telegrafi: Dhe rruga juaj, sikurse thatë nuk ishte e shtruar me lule?
Foniqi: Për lule as që bëhej fjalë, madje ishte plot gjemba. Gazetaria, arti të ‘vret’ nga brenda. Kuptohet, nëse këtë profesion e don, pra e dashuron, përndryshe, nëse e merr vetëm si një vend pune, do të ‘torturohesh’, përgjithmonë. Kurse, unë, gazetarinë e kam konsideruar si një profesion që më ka mbajtur gjallë. Madje, them, po të mos isha gazetar (televiziv), nuk di a do të isha ende), gjallë. Gazetari është sikur pema: ‘rrënjët i ka të hidhura, por frytin e ka të ëmbël’!

Unë kam arritur t’i shijoj këto fryte dhe ja ku jam, me 38 vjet përvojë pune, me 13 libra dhe me qindra e mijëra kronika, emisione, transmetime, shënime, poezi…një thesar, do të thosha, i cili më bën krenar dhe, nganjëherë çuditem, si kam arritur të punojë kaq shumë, dhe, prapë të mbetëm gjallë. Vërtet, isha idealist i madh. Kurrë nuk i kam bishtnuar punës, kurrë nuk kam ditur të them jo, kurrë nuk pata tendencë ndaj askujt, por vetëm kam punuar me sinqeritet, drejt dhe prandaj…’flejë rehat’. Ndërgjegjen e kam të pastër, sikur uji i detit Jon dhe kjo më bën të jem plot, por edhe të krenohem pak, sepse, nuk është pak të kalosh mëse dyzet vjet në një profesion që të sfidon dhe të provokon në çdo hap. E, megjithatë, kam mbetur vertikalisht para popullit dhe profesionit. Të ishe gazetar atëherë, por edhe tash, është një privilegj i rrallë. Duhet të ishe më fat që të pranoheshe në Televizion, një medium elitar dhe shumë skofiar, i cili, përveç të tjerash, kërkon edhe pamje dhe zë të latuar.

Telegrafi: A mund të veçoni ndonjë ngjarje,e cila iu ka lënë mbresa të pashlyeshme në punën tuaj?
Foniqi: Janë shumë, por, nëse veç duhet cekuar, atëherë këto që po i përmend, janë të pashlyeshme. Njëqind vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Beteja e Kosovës, ku unë, gjatë transmetimit kisha thënë se në këtë betejë, kishin marrë pjesë edhe shqiptarë (dhe për këtë pata kritika, si dhe Festivali i Kanës, ai i Berlinit dhe intervistat e shpeshta me Kadarenë. Gazetaria më ka dërmuar, por edhe më ka relaksuar e mbushur plot me gjithçka. Pa të, do të isha i zbrazët dhe i vakët. (Unë, prandaj, pothuajse të tërë i kam gazetar, për këtë jam krenar. Po përmend vajzën Blerta, djalin Agonin dhe dhëndrin, Festimin)!

Telegrafi: A mund të bëni një krahasim me gazetarinë dikur dhe sot. Si ishte dikur, pra u gjendej dikur dhe ku gjendet sot?
Foniqi: Parasegjithash, gazetaria është profesion dhe si çdo profesion tjetër, mos më shumë, duhet të shikohet nga këndi profesional, ai teknik e kozmetik. Mund të them lirisht se, dikur punohej me mjete më të thjeshta teknike, por kishte më shumë shpirt dhe thellësi mendimi e shkrimi, kurse, tashti sikur shumëçka duket e lehë, ndoshta për shkak se teknika e ka bërë të veten. Kam përshtypjen se dikur ka patur gazetari profesionale, natyrisht ideologjie, kurse tashti ka gazetari të shpejtë, por gjithashtu, shpesh edhe partiake. Pra, sikur kemi një gazetari të zbehtë, pa e pa sharmë. Bie në sy, njëfarë ngarendje për të sjellur risi, pra shumë eksperimente, të cilat jo gjithmonë janë të qëlluara. Fitohet përshtypja se është krijuar një paragjykim i skajshëm, kinse të ashtuquajturit gazetarë të vjetër, tashmë janë, harxhuar dhe se gazetarët e rinj janë të paditur dhe të pashkolluar. Të dyja këto teza janë të papërfillshme dhe të rrezikshme.

Në arte di, ose nuk di, mesatare nuk ka! Pra, gazetaria jonë ende duhet të profesionalizohet, të mos serviloset, të mos manipulohet e as të pengohet nga pushteti, sepse, aty ku ndërhyn politika, aty nuk mund të flitet për gazetari të lirë, por të dirigjuar dhe të degjeneruar, sakatuar, censuruar, por bashkë me të, duhet të forcohet shkollimi dhe vetëdijesimi. Sepse, me njerëzit e paditur, mund të manipulohet shumë lehtë. Por, të kesh liri, nuk do të thotë të shkruash çka të duash dhe të etiketosh, kush të del përpara. Ka rregulla, ligj dhe fakte. Gazetarit nuk i rri krekosja as mendjemadhësia, sepse përvoja ka treguar se, të tillët kanë dështuar, kurse aktualiteti po tregon se gazetaria ende është në një sfond të ulët, sa s’bën. Madje, ka raste kur disa, aq ia mbajnë vetes, saqë, veturojnë nga lazdrimi, kurse në fakt s’janë asgjë tjetër veçse diletant dhe gjysmëinjorant, ose analfabet me letër (diplomë, sikurse thoshte dhe shkruante Konica ynë! Pra, janë gazetar, relativisht të dobët, të cilët jo që nuk e pranojnë kritikën, nuk e duan as sugjerimin, sepse duan të jenë ‘origjinal’ në paditurinë e tyre. Fatkeqësia qëndron aty se, injorantët nuk e dinë sa nuk dinë…Megjithatë, edhe atëherë edhe tash, mund të flitet për gazetar të mirë, pak më të mirë dhe të dobët. Por, ajo që më brengos është fakti, se (disa), sikur mjaftohen me atë që kanë mësuar dhe vetëkënaqen së tepërmi, pa ndonjë arsye të madhe.

Misioni i gazetarit është i shtrenjtë dhe i shenjtë, sepse krijon opinion, jep ide, mbron ide, etj, etj. Unë, megjithatë, jam i rezervuar kur flas për kolegët e mi, sepse nuk kam gojë dhe zë, por, në vend të ndonjë vlerësimi, ose kritike, unë iu sugjeroj që të lexojnë, të mësojnë, të mos manipulohen, instrumentalizohen dhe mos të krekosën, pa nevojë, sepse puna e secilit flet vet! Gazetaria është sikur dashuria, nuk ka moshë…

Kam edhe shumë për të thënë, por kësaj radhe po e lë më kaq, sepse mos po e teproj, pak! Por, qëllimi i është qëllimmirë, se, ka njerëz që ta bëjnë rrafsh dhe ta rrahin gjoksin edhe për gabimet fillestare. Në të vërtet, disi, sikur çdo gjë e marrin lehtë dhe jo sa duhet seriozisht. Ku ke parë ti, që kushdo vjen e bëhet gazetar. Mjafton ta gjej një lidhje dhe, vetëm kur e sheh se na qenka bërë gazetar! Gazetarët duhet ta dinë se politikanët shkojnë e vijnë, kurse profesionalizmi është ai që i mban edhe kur nuk kanë krah të fortë. Mjerë ai gazetar që thirret në politikë dhe ‘ngjyroset’ me të. Një ditë ka me i dalë boja dhe do të mbetet, sikurse thuhet: “Fetah, as më ne, as më ata”…

Krejt çka desha të them ishte, se unë gazetarinë e konsideroj shkencë dhe art, kurse gazetarin, njeri të aftë e dijetar të lartë. Ndërsa, fatkeqësisht sot në skenën tonë mediale ka vend edhe për gazetarë e gazetare, gjysmanalfabetë, për të mos thënë analfabetë, par ekselencë! Prandaj, apeloj që gazetaria të depolitizohet, mos të shantazhohet dhe të kihet parasysh kur pranohen. Unë, them se ka gazetarë dhe të inkuadruar në gazetari. Por, në Kosovën tonë, më asgjë nuk paraqet befasi. Të shpresojmë se njeriu do ta kuptojë një ditë se dija është fuqi, është siguri, është kënaqësi, kurse padituria është mëkat dhe të bën mendjesakat!

Telegrafi: Ju keni përcjell kryesisht kulturën, është privilegj, apo një përgjegjësi?
Foniqi: Të dyja bashkë. Në një anë është mirë, sepse ke punë me kulturë (aq sa ka), kurse në anën tjetër, duhet të japësh nga vetvetja shumëçka. Nuk sikur të përcjellësh një mbledhje dhe të tregosh se çka ka ndodhur, në kulturë, duhet ta shikosh, psh., një film a shfaqje, apo ta lexosh një libër dhe të japësh vlerësimin tënd, autorial. Megjithatë, sektori im më ka dhënë mjaft. Sepse, konsideroj se kultura do ta shpëtojë njerëzimin. Pa kulturë, bota do të dukej e mjerë, veçse një skëterrë! Popujt nuk shuhen për shkak të politikave, por për shkak të kulturave. Kultura mban vertikalisht një popull, përndryshe, ai popull që nuk ka kulturë dhe arsimim, ai mund të prodhojë vetëm mjerim. /Telegrafi/