Serbët nga epruveta
Nga: Milutin L. Cerović / aktuelno.me
Përkthimi: Telegrafi.com
Foshnja e parë në botë e ngjizur me metodën e fekondimit jashtëtrupor, lindi më 25 korrik 1978 në Angli. Quhej Louise Brown.
Deri më sot, në mbarë botën, në këtë mënyrë kanë ardhur në jetë më shumë se dymbëdhjetë milionë fëmijë. Metoda, siç e dimë, është e destinuar për çiftet të cilët në mënyrë natyrore nuk mund të kenë pasardhës.
Por, si qëndrojnë gjërat me serbët e “porsalindur” - ose, më saktë, të fabrikuar - në Mal të Zi?
Meqenëse serbët në Mal të Zi, me sa duket, nuk kanë mundur të ngjizen në mënyrë natyrore, iu drejtuan zgjidhjeve alternative.
Një prifti të njohur, pas të cilit qëndronte i gjithë aparati i inteligjencës dhe i sigurisë i një vendi të huaj, pak më shumë se 35 vjet më parë i lindi një ide gjeniale: mënyra më e mirë për të rritur numrin e serbëve në Mal të Zi është e ashtuquajtura epruvetë svetosaviane. Temjani, yshtjet dhe kandili duhej të bënin atë që natyra nuk deshi.
Gjatë dekadave u dëshmua se me metoda të tjera rritja e numrit të serbëve në Mal të Zi nuk është e mundur.
Prandaj, iu futën fekondimit artificial, të cilin e mbështetën me gëzim mediat në Beograd, por edhe një pjesë e malazezëve të lindur pa epruvetë.
Enti i Statistikave, thonë, po regjistron një bum të vërtetë foshnjash. Të mirinformuarit pohojnë se pjesa e serbëve nga epruveta svetosaviane-propagandistike ka arritur në rreth tridhjetë përqind të popullsisë së përgjithshme të Malit të Zi.
Duket se dikush gjatë viteve nëntëdhjetë hodhi në epruvetë një maja vërtet cilësore - atë që u fry goxha fort. Shifrat e vërtetojnë këtë.
Disa ekspertë të njohur të gjuhës vërejnë edhe një dukuri tjetër interesante: të gjithë ata të cilët në Mal të Zi janë ngjizur me epruvetën svetosaviane, për ndonjë arsye të çuditshme flasin gjuhën serbe.
Publiku hamendëson se shkaku për këtë është i thjeshtë - të gjitha epruvetat kanë mbërritur nga Beogradi, ndërsa prodhuesi është një fabrikë e madhe serbe e njohur si DOO SPC.
Interesante është edhe kjo: të gjitha ato qenie të fekonduara artificialisht i përkasin së njëjtës kishë dhe së njëjtës fe dhe që të gjitha kanë lindur në të njëjtën mënyrë.
Prandaj, epruvetë svetosaviane, serbët ta kanë borxh një mirënjohje të thellë! /Telegrafi/


