Selmanaj: Mungesa e një agjende të qartë nuk është shenjë e mirë - Avdullahu Hoti vlerë e madhe për LDK-në
Anëtari i Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka theksuar se brenda partisë duhet të refuzohet qasja e qëndrimeve "bllanko" të degëve, duke nënvizuar se vendimmarrja u takon delegatëve individualisht.
Sipas Selmanajt, dega e LDK-së në Prizren ka rreth 16 delegatë dhe secili prej tyre ka bindjen e vet personale për të vlerësuar se cila është rruga më e mirë që duhet të ndjekë LDK-ja.
“Ne i kemi vlerësuar bashkë, por vendimi mbetet individual dhe unë e respektoj maksimalisht qëndrimin e secilit delegat”, ka deklaruar Selmanaj.
Ai u shpreh i bindur se LDK-ja edhe në momentet e saj më delikate, ka ditur të gjejë mekanizma të brendshëm për rregullim dhe reflektim të drejtë, veçanërisht në situatat kur është përballur me sfida në zgjedhjen e kryetarit të partisë.
“Gjithmonë LDK-ja e ka zgjedhur situatën më të mirë”, tha ai, duke shtuar se aktualisht mungesa e një agjende të qartë nuk është shenjë e mirë.
Sipas Selmanajt, deri mbrëmë duhej të ishte e qartë nëse do të votohej për votëbesim apo do të shqyrtohej dorëheqja.
Ai theksoi se shqyrtimi i dorëheqjes do të ishte antistatutor nëse hyn në një cikël të tillë, pasi statuti i LDK-së nuk e parasheh këtë procedurë, duke ritheksuar besimin e tij në demokracinë e brendshme të partisë.
Selmanaj kujtoi se LDK-ja ka vendosur standard në Kosovë që pas rezultateve të dobëta zgjedhore të ketë proces vlerësimi të brendshëm.
“Nuk jemi të kënaqur me këto rezultate. Nëse nuk kemi arritur ta transmetojmë idenë e mirë të LDK-së te qytetarët, atëherë faji nuk është i tyre, por i vetë LDK-së”, u shpreh ai.
Duke folur për udhëheqjen e partisë, Selmanaj vlerësoi lart të kaluarën dhe trashëgiminë politike të Avdullah Hotit, duke e cilësuar atë si një vlerë të madhe për LDK-në, por theksoi se kjo nuk përjashton kandidaturat e tjera.
“Kjo është e mira e LDK-së, të ketë debate dhe kundërshti”, tha Selmanaj, duke përfunduar se partisë i nevojitet një dinamikë pak më ndryshe në të ardhmen. /Telegrafi/


