Sekreti pas milionave të Barcelonës quhet “1:1”- ja si funksionon dhe si po i ndihmon ata
Arsyeja pse Barcelona mund të shpenzojë më shumë se 80 milionë euro për Anthony Gordon dhe disa objektiva të tjerë është zbuluar.
Dihet gjerësisht se vitet e fundit, pavarësisht se është ndoshta klubi më i madh i futbollit në botë, Barcelona është përballur me probleme financiare.
Vetëm verën e kaluar, përforcimi i ri Marcus Rashford u detyrua të priste përpara se të regjistrohej zyrtarisht si lojtar i Barcelonës, pasi klubi pati vështirësi në regjistrimin e futbollistëve për shkak të kufijve të pagave të vendosur nga La Liga.
Për këtë arsye, shumëkush u befasua kur u raportua gjerësisht se klubi kishte arritur një marrëveshje “në parim” me Neëcastle United për transferimin e Anthony Gordon për 80 milionë euro, plus bonuse.
Para se të udhëtonte drejt Amerikës së Veriut për të përfaqësuar Anglinë në Kupën e Botës, anësori mbërriti në Barcelonë për të kryer testet mjekësore, përpara firmosjes së kontratës, e cila pritet t’ia dyfishojë pagën deri në rreth 300 mijë funte në javë.
Më pak se 24 orë më vonë, u konfirmua se Barcelona po përgatitej të dërgonte një ofertë zyrtare për sulmuesin e Atletico Madridit, Julian Alvarez, me ish-yllin e Manchester Cityt që shihet si zëvendësues i Robert Lewandowskit, i cili pritet të largohet.
Raportohet se Barça po përgatit një propozim që nuk do të përfshijë asnjë lojtar dhe as opsion shkëmbimi, por do të jetë një ofertë e drejtpërdrejtë “kesh” në vlerën rreth 100 milionë euro.
Pra, me mbi 80 milionë euro që po shpenzohen para se afati i transferimeve të hapet zyrtarisht më 15 qershor, shtrohet pyetja: si ka mundësi që Barcelona papritur ka kaluar nga trazirat financiare te “liria” financiare?
Shpjegimi i rregullit 1:1 të La Ligës dhe si e ndihmon Barcelonën
Pas disa afatesh kalimtare të vështira, duket se Barcelona më në fund ka kaluar në anën pozitive të rregullit financiar 1:1 të La Ligës, duke i dhënë shumë më tepër hapësirë në strategjinë e transferimeve.
Ky kornizim financiar nënkupton se çdo euro që klubi gjeneron nga shitja e lojtarëve ose nga ulja e shpenzimeve të pagave, mund të shpenzohet më pas për afrime të reja në skuadër.
Një pjesë e madhe e arsyes pse Barcelona papritur është rikthyer “në favor” të këtij rregulli lidhet, sipas raportimeve, me largimin e Lewandowskit, që besohet se ka liruar rreth 40 milionë euro nga struktura e pagave.
Duke i shtuar edhe faktin se rikthimi në “Camp Nou” pritet të sjellë burime të reja të ardhurash, bordi i Barcelonës raportohet se është i bindur se problemet financiare tashmë i kanë mbetur pas./Telegrafi/


