Sekreti i verës po shuhet nga klima - çfarë po bën Franca?
Franca thotë se është “e vendosur” të shpëtojë industrinë e verës nga një krizë, por a mund të kthehet ky plan kundër saj?
Franca është drejtuar për ndihmë tek Bashkimi Evropian, pas ndarjes së fondeve shtesë për të shpëtuar industrinë e verës, e cila po përkeqësohet, raporton euronews.
Fillimisht këtë javë, Ministria franceze e Bujqësisë konfirmoi se ka alokuar 130 milionë euro për të financuar një plan të ri, të përhershëm për prerjen e hardhieve të rrushit, me qëllim “rialokimin e ofertës” dhe “rikthimin e qëndrueshmërisë” së fermave që po përballen me vështirësi në rajonet më të cenueshme.
Ky proces përfshin prishjen dhe nxjerrjen e rrushit me rrënjë nga toka, zakonisht duke përdorur pajisje të specializuara - si pllugët e thellë dhe mund të kushtojë rreth 1000 euro për hektar, transmeton Telegrafi.
Ministrja Annie Genevard gjithashtu i ka kërkuar Komisionerit Evropian për Bujqësi dhe Ushqim, Christophe Hansen, të financojë distilimin e stokut të tepërt që nuk mund të shitet. Ky është procesi ku furnizimi i tepërt shndërrohet në alkool për qëllime industriale, në vend se për konsum.
Çfarë fshihet pas krizës së vreshtave në Francë?
Genevard thotë se vendi, i cili është një nga prodhuesit më të mëdhenj të verës në botë dhe ka 11 për qind të vreshtave globale, ka përballuar “vazhdimisht” një krizë për disa vite. Në një deklaratë të 24 nëntorit, ajo fajësoi një treshe problemesh, përfshirë edhe “tensionet e mëdha gjeopolitike”.
Kjo vjen pas kërcënimit të presidentit amerikan, Donald Trump për të vendosur një tarifë prej 200 për qind mbi pijet alkoolike evropiane më herët këtë vit, një masë që u tërhoq shpejt. Megjithatë, disa muaj më vonë u njoftua një tarifë prej 15 për qind për eksportet drejt SHBA-së, një treg kyç për industrinë franceze të verës.
Rënia e vazhdueshme e konsumit të verës, veçanërisht e verave të kuqe, ka kontribuar gjithashtu në krizën e vreshtave në Francë.
Vitin e kaluar, konsumimi global i verës ra në nivelin më të ulët në më shumë se 60 vjet, ndërsa disa anketime treguan se gjenerata Z (ata që kanë lindur midis 1997 dhe 2021) po e shmang krejtësisht alkoolin.
Për më tepër, Genevard argumentoi se vuajtjet e sektorit janë përkeqësuar nga ndryshimet klimatike, të cilat “kanë ndikuar përsëritësisht në të korrat” për disa vite.
“Kjo përpjekje e re financiare e konsiderueshme, përkundër një konteksti buxhetor veçanërisht të vështirë dhe në pritje të miratimit të ligjit të financave, tregon vendosmërinë e qeverisë për të shpëtuar industrinë tonë të verës në afat të gjatë dhe për ta lejuar atë të rimëkëmbet”, thotë ministrja.
“Ky nuk është një tjetër plan emergjence për të korrigjuar një pabarazi strukturore, është një investim në sektorin tonë të verës dhe tek fermerët në këto zona prodhimi”, shtoi ajo.
Ekspertët frikësohen se tarifat, së bashku me kursin e këmbimit të valutave, mund të reduktojnë të ardhurat vjetore nga shitjet e verës dhe pijeve alkoolike franceze me rreth 1 miliard euro.
Çka është prerja e rrushit me rrënjë?
Ideja e heqjes së vreshtave nuk është e re. Mendohet se ka origjinën në shekullin e I-rë, kur Perandori Roman, Domitian, urdhëroi prerjen e 50 për qind të rrushit në Gal (një rajon i lashtë i Evropës Perëndimore që përkon përafërsisht me Francën e sotme) nga frika se ato përbënin konkurrencë për verërat romake. Që atëherë, subvencione për prerjen e vreshtave janë futur disa herë dhe tani kjo konsiderohet një masë më ekonomike krahasuar me distilimin ose ruajtjen e tepricës.
“Çështjet e sotme janë prodhimi i tepërt i verës dhe një rënie e madhe e konsumit, veçanërisht e verave të kuqe, kryesisht në sektorin fillestar”, thotë Pierre Metz, partner në vreshtin Domaine Alain Chabanon në Terrasse du Larzac, në jug të Francës, për Euronews Green.
“Konsumatorët e rinj zakonisht pinë më pak verë, gjë që shtyn shitësit të ulin çmimet, gjë që më pas ul çmimet edhe në nivelin e prodhuesve”, shtoi ai.
Metz shpjegon se prodhuesit tani do të marrin vetëm rreth 0.80 euro për një litër verë “gjenerike” Bordeaux.
“Zgjidhja që propozojnë grupet e lobit të prodhuesve është ulja e prodhimit. Një vresht jo produktiv gjithsesi kushton para për t’u mirëmbajtur dhe për të shmangur përhapjen e sëmundjeve, pasi në fakt ka gjoba për t’u paguar nëse nuk e mirëmban vreshtin tënd”, deklaroi ai.
Ka dy mënyra të ndryshme për të hequr rrushin: përkohësisht ose përgjithmonë. Mënyra e përkohshme ka përfitimin që lejon pronarët e vreshtave të riprodhojnë varietete të rezistueshme ndaj nxehtësisë, duke u përshtatur me rritjen e temperaturave, por kjo ende redukton prodhimin për disa vite.
Rreziku i zjarreve të egra
Prerja e përhershme e vreshtave ka rreziqet e veta, përfshirë shqetësimin e jetës së egër dhe pengimin e parandalimit të zjarreve.
Evropa përballet me më shumë zjarre se kurrë, pasi thatësirat dhe temperaturat në rritje të nxitura nga ndryshimet klimatike e bëjnë shumë rajone të kontinentit më të ndjeshme. Sipas Komisionit Evropian, zonat e rrezikuara nga zjarret vetëm në Francë pritet të rritet me 17 për qind deri në vitin 2040.
Megjithatë, vreshtat e mirëmbajtura mund të jenë pjesë e zgjidhjes, pasi kërkimet tregojnë se parcelat e rrushit mund të veprojnë si “pengesa ndaj zjarrit” duke krijuar hapësira në karburant dhe duke ngadalësuar përhapjen e flakëve.
“Studimet në zonat e rrezikuara nga zjarret tregojnë se, shpesh, zjarret e egra ndalen në skaj të vreshtave të mirëmbajtura — për sa kohë që hapësira midis rreshtave nuk mbulohet nga bimësi e ndezshme”, shton Departamenti i BE-së për Bujqësi dhe Zhvillim.
Metz shpjegon se rreziku i zjarreve mund të zvogëlohet duke mbjellë gjemba, duke kullotur bimësinë e egër dhe duke kryer mirëmbajtje të përgjithshme. Megjithatë, kjo do të kishte kosto të larta, të cilat vreshtat që zgjedhin të prerë rrushin mund të mos i përballojnë.
Vrreshtat e prerë gjithashtu mund të zëvendësohen nga kultivimi i perimeve dhe drithërave, por shumica zgjedhin ta lënë tokën të zbrazët, pasi kjo gjithashtu kërkon shpenzime paraprake.
Si po ndikon ndryshimi i klimës në industrinë e verës?
“Ndryshimi i klimës është një temë ditore për pronarët e vreshtave”, thotë Metz, duke treguar për “shumëfishimin” e periudhave të nxehta që po nxiten nga ngrohja globale.
Këtë verë, shumë pjesë të Francës u vendosën në alarm të lartë për nxehtësi, pasi temperaturat arritën deri në 43 gradë Celsius në disa zona të Charente dhe Aude. Temperaturat e larta u identifikuan si një nga shkaqet kryesore të një zjarri të madh që shkrumboi 160 kilometra/katrorë në Aude.
“Kjo seri e valëve të nxehtësisë krijon gjithashtu një problem me ujin, pasi bie më pak shi dhe rezervat e ujit nëntokësor janë më të ulëta çdo vit. Disa nga zonat e mëdha të prodhimit mund të mbijetojnë vetëm me ujitje, e cila bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë për shkak të mungesës së ujit”, shtoi ai.
Në muajin qershor, Agjencia Evropiane e Thatësirës klasifikoi një të tretën e Europës si të prekura nga thatësira, ndërsa 10 për qind e Europës ishte në një gjendje krize. Në Francë, më shumë se 30 mijë banorë të komunave patën ndërprerje në furnizimin me ujë.
Ndryshe nga prodhuesit masivë, Metz zgjedh të mos ujisë vreshtat dhe të mos përdorë pleh, gjë që, sipas tij, e detyron bimën të “aktivizojë instinktin e mbijetesës” dhe “të shtyjë rrënjët thellë në tokë për të kërkuar ujë”.
Ai argumenton se vreshëtarët e mirë nuk kanë nevojë për mbrojtje dhe duhet të jenë të aftë të përshtaten me mjedisin që ndryshon.
“Ndihma e vërtetë do të ishte të inkurajohej një rritje e cilësisë duke ulur rendimentin për hektar,” shton Hetz, duke argumentuar se prerja e vreshtave do të jetë si “një pikë uji mbi një gur të nxehtë për shumicën e prodhuesve”. /Telegrafi/


