Seanca për demarkacionin shtyhet për një ditë tjetër (Video)
Kuvendi i Kosovës sot mban seancë të jashtëzakonshme, ndërsa në rend dite është shqyrtimi i Projektligjit nr.06/L-060 për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Seanca e sotme është tentativa e tretë për ta ratifikuar Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli një ditë më parë u shpreh i bindur se demarkacioni do të kalojë në Kuvend, megjithëse koalicioni qeverisës ende nuk i ka siguruar votat e mjaftueshme.
Për miratimin e demarkacionit nevojiten 2/3 e votave, ose 80 vota nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës.
Edhe ambasadori Greg Delawie si dhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova kanë bërë thirrje për miratimin e demarkacionit.
Në ditën kur në seancë do të jetë në rend dite demarkacioni me Malin e ZI në Kosovë do të qëndrojnë për vizitë zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, bashkë me Përfaqësuesen e Lartë, Federica Mogherini dhe komisionarin për Zgjerim Johannes Hahn. /Telegrafi/
Foto: Arkiv
01/03/2018 08:35-Seanca për demarkacionin shtyhet për një ditë tjetër
Kuvendi i Kosovës ka shtyrë për një ditë tjetër seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.
“Me pajtim të kryetarëve të grupeve parlamentare, seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës, shtyhet për një ditë tjetër. Për vazhdimin e saj, do të vendosë Kryesia e Kuvendit”, thuhet në njoftim.
Kjo është hera e tretë që dështon seanca e jashtëzakonshme ku ishte paraparë të hidhet në votim ratifikimi i marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi. /Telegrafi/
28/02/2018 13:28-Ende s’ka vendim për vazhdimin e seancës
Kuvendi i Kosovës që një orë ka shkuar në pauzë, ndërkaq ende nuk dihet se kur pritet të vazhdojë sërish seanca për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.
Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti ka thënë për Telegrafin se ende janë duke negociuar se kur do të vazhdojë seanca e nisur në orën 11:00.
“Akoma nuk kemi vendosur. Po negociohet”, ka thënë Haliti.
Ndërkaq kujtojmë se për ratifikimin e kësaj marrëveshje nevojiten 80 vota nga ana e deputetëve, ndërkaq deri më tash sipas koalicionit qeverisës janë siguruar 78 vota. /Telegrafi/
28/02/2018 11:42-Haradinaj: Po harmonizohet teksti i Projektligjit të demarkacionit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk e di ende a janë numrat e mjaftueshëm për ta votuar demarkacionin por sipas tij kjo do të dihet në seancë, e cila pritet që të fillojë pasi Komisioni për Punë të Jashtme ta miratojë projektligjin e ndryshuar.
Haradinaj tha se janë duke punuar që të jenë unik.
“Jemi në harmonizim të tekstit të projektligjit, ku në raportin e Komisionit Bulliqi të përfshihet edhe fjala ‘orientim’...Gjatë ditës do të ketë debat dhe diskutime dhe më vonë edhe votim”, ka thënë Haradinaj për media.
Haradinaj tregoi po ashtu se disa deputetë të koalicionit qeveritar janë në Podgoricë dhe shpreson se ata do të kthehen para votimit.
Ndërsa sa i përket deputetëve të Listës Serbe Haradinaj tha se nuk ka qëndrim definitiv se si do të votojnë.
28/02/2018 11:40-Pacolli: I kemi votat për demarkacionin
Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, ka thënë se koalicioni qeverisës i ka votat për ratifikimin e demarkacionit.
Ai ka thënë se seanca do të vazhdojë pas pauzës, dhe se me deputetët e VV-së nuk kanë biseduar se a do ta votojnë a jo.
“Do të vazhdojë seanca, do të ketë debat, nuk e di a do të mund të vazhdojë seanca në kohën kur është vizita e tre zyrtarëve të BE-së. Me VV-në nuk kemi biseduar a do ta votojnë a jo, por për kauzën tonë që është e rëndësishme që qytetarët të lëvizin pa viza”, ka thënë Pacolli. /Telegrafi/
28/02/2018 11:22-Kuvendi në pauzë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka dhënë pauzë në mënyrë që Komisioni për punë të jashtme marrëveshjen e arritur ndërmjet koalicionit qeverisës dhe LDK-së ta inkorporojë në Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
28/02/2018 11:19-Koalicioni qeverisës dhe LDK-ja përkrahin shmangien e rregullores
Katër grupet parlamentare LDK, PDK, AAK dhe Nisma janë pajtuar për shmangien e rregullores, për shqyrtimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Kështu kanë deklaruar shefat e grupeve parlamentare të këtyre partive. Shmangien nga rregullorja e ka përkrahur edhe Vakati. /Telegrafi/
28/02/2018 11:14-Konjufca: Marrëveshja duhet të tërhiqet nga Kuvendi
Glauk Konjufca, shef i Grupit parlamentar i Vetëvendosjes tha se Komisioni i ri ka verifikuar se Komisioni Meha ka bërë shkelje serioze.
Ai tha se pas kësaj kryeministri Haradinaj do të duhej ta tërhiqte këtë marrëveshje nga Kuvendi.
28/02/2018 11:13-Fillon seanca për demarkacionin
Ka filluar të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite është marrëveshja e demarkacionit.
28/02/2018 10:55-Haradinaj konsultohet me deputetët e VV-së për demarkacionin
Deputetët e Kuvendit të Kosovës tashmë kanë arritur në sallën ku pritet për pak të fillojë seanca për ratifikimin e demarkacionit.
Koalicioni qeverisës ende nuk dihet nëse i ka siguruar votat e duhura për ta kaluar këtë marrëveshje.
Kryeministri Ramush Haradinaj është parë për pak momente duke biseduar me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, e kjo sigurisht që për t’i bindur të ndryshojnë qëndrimin rreth demarkacionit. /Telegrafi/
28/02/2018 10:32-Deputetët fillojnë të arrijnë në Kuvend
Tashmë kur ka kaluar ora 10:00 e paraparë që të fillojë seanca ku në rend dite është ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, deputetët kanë filluar të arrijnë në Kuvend.
Ata janë parë duke hyrë në sallën ku do të mbahet seanca plenare, raporton Telegrafi.
Nga deputetët që janë parë të hyjnë në sallë janë ata të LDK-së, Driton Selmanaj, Lutfi Zharku, Kujtim Shala, Doruntinë Maloku, Vjosa Osmani, Anton Çuni, deputeti i Alternativës Ilir Deda, dhe deputetë të Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, Arbërie Nagavci, Besa Baftiu dhe deputeti i liruar ditë më parë nga paraburgimi, Frashër Krasniqi.


