Së shpejti pritet të hapet konkursi për komisionarin e FSK-së
Për herë të parë në Kosovë do të ketë komisionar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, institucion në të cilin do të mund të drejtohen ankesat dhe çështje të tjera të ushtarëve.
Deputetët e Komisionit për Çështje të sigurisë dhe Mbrojtjes zhvilluan sot një takim me komisionaren parlamentare për Forcat e Armatosura të Gjermanisë, Eva Hogl dhe paraardhësin e saj, Reinhold Robbe.
Gjermanët, të cilën dhanë kontributin e tyre në krijimin e një ligji të tillë, deklaruan se ky institucion është tejet i rëndësishëm për të drejtat e ushtarëve dhe do të jetë i ngjashëm me Avokatin e Popullit.
Sipas kryetarit të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, konkursi për zgjedhjen e komisionarit do të hapet së shpejti, pasi ligji të hyjë në fuqi.
“Ne i falënderojmë për kontributin që kanë dhënë, edhe për idenë. Tanimë ne kemi punuar dhe e kemi edhe komisionarin për Ushtrinë e Kosovës, është i modelit gjerman. Kemi pasur kërkesa edhe këshillime të shumta. Është bërë punë e gjatë për këtë komisionar. Ne kemi arritur ta dërgojmë në lexim të dytë. Tani presim që ky komisionar të fillojë punën, të zgjidhet pasi të hyjë në fuqi (ligji) ... Është mirë, uroj ushtarët. Ata do të kenë një adresë ku do t’i trajtojnë rastet kur shkelen të drejtat e njeriut. Jam i bindur se ka pasur nevojë për një gjë të tillë”, tha Berisha.
Berisha u deklarua pas takimit me gjermanët, nga të cilët tha se kanë marrë garanci për këshillime dhe bashkëpunime të tjera në të ardhmen.
Komisionarja parlamentare për Forcat e Armatosura të Gjermanisë, Eva Hogl dhe paraardhësi i saj Reinhold Robbe, e vlerësuan si tejet të rëndësishëm krijimin e një institucioni të tillë.
Robbe tha se komisionari për FSK-në do të jetë i ngjashëm me institucionin të cilin e Gjermania e ka shumë kohë më parë.
“Një institucion jashtëzakonisht i rëndësishëm, të cilit mund t’i drejtohet secili ushtar apo ushtare, me kërkesat apo ankesat e tyre që kanë të bëjnë me të drejtat e tyre. Ai do ta ketë detyrën e një lloj avokati i cili do t’i çojë përpara, do t’i adresojë aty ku duhet ankesat e tyre dhe do të jetë përkrah këtyre ushtarëve në mënyrë që të gjitha çështjet që i kanë t’i trajtojnë në mënyrën e duhur”, tha ai.
Javën e kaluar Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë projektligjin për komisionarin e FSK-së.


