Së shpejti – “Përballje Podcast”, sezoni i ri mbi integritetin medial dhe zgjedhjet në Kosovë
Telegrafi.com do të publikojë së shpejti sezonin e ri të “Përballje Podcast”, një seri prej tetë episodesh kushtuar integritetit medial, luftës kundër dezinformimit dhe sfidave që mediat përballen gjatë zgjedhjeve lokale dhe nacionale në Kosovë.
Në këtë edicion, me autor Muhamet Hajrullahu, kryeredaktor i Telegrafit, do të marrin pjesë gazetarë, ekspertë të medias, akademikë, përfaqësues të institucioneve si KPM, Këshilli i Mediave të Shkruara, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, si dhe organizata të shoqërisë civile e ekspertë të rrjeteve sociale.
Përballë rritjes së shqetësimeve për ndikimin e dezinformatave dhe ndërhyrjeve të huaja në proceset demokratike, temat do të përfshijnë: ndryshimet në Ligjin për Zgjedhje dhe roli i KPM-së në mbrojtjen e integritetit zgjedhor; dhuna online dhe paragjykimet gjinore ndaj grave në politikë; deepfake dhe siguria kibernetike gjatë fushatave; dezinformatat në rrjetet sociale dhe ndikimi në procesin demokratik; rëndësia e raportimit etik në zgjedhjet lokale; roli i shoqërisë civile në krijimin e një mjedisi mediatik transparent; edukimi medial në shkolla për zhvillimin e mendimit kritik e transparenca financiare dhe pronësia e mediave.
Realizimi i episodit të parë do të bëhet së shpejti.


