Saraçini: Pranimi në EHF, dhuratë për 60 vjetorin e FHK-së
Kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës Eugen Saraçini tha se ky është një lajm i mirë për të gjithë hendbollistët dhe hendbollistet dhe gjithë hendbollin në Kosovë. “Ky është një lajm i mirë për të gjithë. Që nga sot (e shtunë) ne kemi të drejtë të aranzhojmë ndeshje miqësore për të gjitha Përfaqësueset e Kosovës. Kjo është dhuratë për 60-vjetorin e themelimit të Federatës së Hendbollit të Kosovës”, deklaroi Saraçini për Arenën. Përfaqësueset Kosovës kanë zhvilluar edhe deri tani ndeshje miqësore, por nuk kanë qenë të regjistruara pranë EHF-it.
Ndërkohë, sa i përket ndonjë modaliteti të mundshëm ai tha: “Përfaqësueset e Kosovës mund të zhvillojnë ndeshje miqësore zyrtare, por edhe evente që organizon EHF-ja, pasi deri në pranimin e plotë që duhet të ndodhë më 19/20 shtator në Dablin të Irlandës nuk mund të hyjmë në ciklin e kualifikimeve. Nuk dua të lidhem me Federatat tjera, por ne nuk na është vënë asgjë kusht. Do të luajmë me të gjitha simbolet shtetërore përfshirë edhe flamurin”. /Tribuna/Telegrafi/


