Please enter at least 3 characters.

Saga makabre e kufomës së Eva Perónit

Nga: Marianka Swain / The Daily Telegraph (titulli: ‘Horrible stains, heaven only knows what filth’: The grisly saga of Eva Perón’s corpse)
Përkthimi: Telegrafi.com

Obsesioni ynë me Evitën, apo Eva Perónin - ish-Zonjën e Parë të Argjentinës - nuk po zbehet aspak. Këtë javë, rikthimi shumë i përfolur i muziklit të Andrew Lloyd Webberit dhe Tim Riceit në skenën e Uest-Endit, hapet në teatrin “London Palladium” - megjithëse shumëkush ka tashmë një ide paraprake falë interpretimit të diskutueshëm të këngëtares Rachel Zegler para publikut, nga ballkoni i skenës.

Por, sado magjepsëse të jetë historia e Evitës - nga rrënjët e saj të varfra deri në kulmet e famës - ekziston një rrëfim edhe më dramatik dhe shumë më i tmerrshëm, i cili nuk shfaqet në këtë muzikël. Ai fillon pas vdekjes së saj dhe përfshin një balsamosje sekrete, nekrofili, teori të egra konspirative dhe një mit që vazhdon të jetojë rreth kësaj figure përçarëse.

Ishte aq e madhe dhimbja e masave pas vdekjes së Perónit, në korrik të vitit 1952, saqë turma të tëra njerëzish u dyndën drejt trupit të saj, duke rrezikuar jetën, ndërsa kufoma po transportohej drejt Ministrisë së Punës. Më shumë se 20 mijë vetë u trajtuan për dëmtime nga shtypja dhe tetë vetë humbën jetën.

Por, ky ishte vetëm fillimi i aventurave të çuditshme, të dhunshme dhe të ndyra që rrethuan trupin e Perónit - një histori që përfshin luftëra për pushtet politik, drama të frikshme mjekësore, një përballje pas epokës #MeToo dhe një nuancë të mistershme që të kujton “Mallkimin e Mumies”.

Ngritja e Perónit ishte e jashtëzakonshme - nga lindja e saj jashtëmartesore dhe rritja në varfëri e turp, deri në një ikonë ndërkombëtare. Ajo e rizbuloi veten në Buenos Aires, si aktore, përpara se të merrte rolin e jetës: bashkëshorte e presidentit argjentinas Juan Perón dhe një mjet i fuqishëm propagandistik për regjimin e tij. Ajo udhëtoi nëpër Evropë, duke lëvduar virtytet e Perónit, dhe ai, në këmbim, i dha asaj titullin “Udhëheqësja Shpirtërore e Kombit”. Shumë vetë e adhuruan si kampione revolucionare të grave dhe të varfërve; të tjerët e panë si një fasadë të famshme të një diktature të ashpër fashiste.

Eva iu nënshtrua, pa sukses, trajtimit për kancerin e qafës së mitrës, përfshirë një histerektomi radikale dhe kimioterapi - duke qenë e para argjentinase që iu nënshtrua kësaj të fundit. Ajo vdiq në orën 20:25, më 26 korrik 1952, në moshën 33-vjeçare, dhe vdekja e saj u shpall nëpërmjet transmetimeve radiofonike në të gjithë Argjentinën. Kjo, të paktën, dihet me siguri.

Por, ajo që ndodhi më pas është subjekt i spekulimeve të zjarrta. Në njëfarë mënyre, fuqia e saj vetëm sa u rrit pas vdekjes. Siç thotë Tomás Eloy Martínez, autori i romanit Shën Evita [Santa Evita] të vitit 1995 (që përzien faktin me trillimin): “Asnjë trup tjetër nuk ka pasur kaq shumë rëndësi për një komb sa ai i Eva Perónit për Argjentinën.” Ai mori informacione bombastike nga burime të ndryshme, përfshirë pjesëtarë të shërbimeve sekrete, të cilat përbënë bazën e librit të tij. Dekada më vonë, ata donin që e vërteta të bëhej e ditur.

Megjithatë, e vërteta është pothuajse e pabesueshme. Gjithçka filloi kur Juan Peróni pagoi një shumë marramendëse, prej 100 mijë dollarësh, që mjeku Pedro Ara të balsamoste trupin e gruas së tij, duke zëvendësuar gjakun e saj me glicerinë për të ruajtur organet (të cilat zakonisht hiqen) dhe indet - një proces delikat që zgjati disa vite. Efekti i synuar ishte të krijonte pamjen e “gjumit të përshkruar artistikisht.” Nuk ekziston asnjë dëshmi se Eva e kishte kërkuar këtë balsamosje.

Peróni kishte gjithashtu plane madhështore për ta ekspozuar trupin e bashkëshortes së tij të dashur, para popullit, për të ushqyer mitin që po rritej rreth kësaj figure të shenjtëruar dhe për të nxitur adhurimin e vazhdueshëm - si dhe për të ruajtur sundimin e vet. Ai donte të ndërtonte një monument që do të tejkalonte edhe Statujën e Lirisë, ku do të paraqitej një descamisado (në kuptimin literal “i zhveshur lart” - një anëtar i klasës punëtore dhe përkrahës i flaktë i Perónëve). Trupi i Evës do të vendosej në një arkivol prej xhami, në bazën e monumentit, ashtu si trupi i Leninit në Moskë.

Por, përpara se të mund ta përfundonte projektin, Peróni u përmbys nga pushteti në një grusht shteti dhe u arratis jashtë vendit - duke lënë pas trupin e Evës. “Ajo grua,” siç e quanin fraksionet kundër Perónit, tani ishte problemi i tyre - dhe njëkohësisht një simbol i rrezikshëm që mund të ndezte një revolucion të mundshëm. Siç e përshkruan Martínezi, regjimi i ri kishte frikë se rebelët po planifikonin të vidhnin trupin, ta vendosnin në një varkë me lule, ta lëshonin përgjatë lumit dhe ta përdornin për të nxitur një kryengritje.

Zëvendëspresidenti urdhëroi që trupi të zhdukej. “Kthejeni në një grua të vdekur si gjithë të tjerat.” Por si? Ajo nuk duhej djegur; trupi duhej të varrosej në tokë të krishterë, pasi ajo kishte bërë rrëfimin e fundit dhe kishte vdekur në hirin e Zotit.

Koloneli Carlos Eugenio de Moori Koenig u ngarkua me këtë detyrë makabre. Ai studioi raportin e balsamuesit, duke u përpjekur të vendoste se çfarë veprimi të ndërmerrte - dhe këtu Martínezi përshkruan fetishizimin e çuditshëm të trupit të Evës. Koloneli lexoi se lëkura e Evitës dukej e tendosur si ajo e një 20-vjeçareje dhe se, megjithëse trupi i saj ishte mbushur me formalinë, parafinë dhe klorur zinku, ajo ende kishte aromë bajamesh dhe livandoje. Ajo kishte një bukuri aq të përtejme, saqë burri i saj kishte provuar madje t’ia puthte buzët, si për ta zgjuar si Bukuroshen e Fjetur.

Koloneli e gjeti balsamuesin, Aran, dhe kërkoi dorëzimin e trupit. “Kushdo që ka gruan, e ka vendin në pëllëmbë të dorës,” deklaroi koloneli. Në fakt, tashmë kishte më shumë se një prej atyre simboleve të fuqishme. Nëna e Evës, Doña Juana, kujtoi momentin e tmerrshëm kur Ara i tregoi kopjen e frikshme të trupit të së bijës, të shtrirë mbi një pllakë; një tjetër të vendosur mbi jastëkë prej kadifeje të zezë; dhe një të tretë të ulur në një kolltuk, sikur po lexonte një kartolinë.

Ara me krenari i tregoi nënës së tmerruar se ai dhe një skulptor italian kishin bërë kopje nga dylli, vinili dhe fibra xhami, duke përdorur ngjyrë të përhershme për venat. Kur ushtria erdhi për të marrë trupin, Ara planifikonte t’ua jepte një kopje dhe të mbante origjinalin për vete. Ai i ofroi nënës së pikëlluar një kopje për ta varrosur. Përgjigjja e saj e shkurtër ishte: “Shko në ferr.”

Ndërkohë, koloneli kishte filluar të merrte kërcënime: telefonata të frikshme dhe të panjohur që shkonin në shtëpinë e tij, duke e paralajmëruar që të linte “zonjën” rehat. Por, ai vazhdoi me këmbëngulje, duke varrosur tri kopjet në arkivole identike, në vende të ndryshme përreth Buenos Airesit, dhe duke ruajtur, nën mbikëqyrje, trupin e vërtetë të Evës në një kamion të parkuar pranë ndërtesës së Shërbimit të Inteligjencës. Megjithatë, adhuruesit e saj e zbuluan shpejt dhe nisën të linin lule dhe qirinj.

Sipas Martínezit, trupi u zhvendos në disa lokacione ushtarake: depo, bodrume batalionesh, kuzhina. Ajo gjithashtu kaloi kohë në impiantin e ujësjellësit të qytetit dhe pas ekranit të kinemasë Rialto - një rikthim i çuditshëm në kinema për ish-aktoren.

Vendqëndrimi i saj i ardhshëm - megjithëse aspak i qetë - ishte me majorin Arancibian, i cili u fiksua pas Evës. Raportimet tronditëse sugjerojnë se ai e përdhunoi trupin dhe se, kur u zbulua nga gruaja e tij shtatzënë, Elena, ai e qëlloi atë në fyt. Mbrojtja e tij ishte se e kishte ngatërruar me një hajdut. Motra e Elenës, Margot, dëshmoi para një gjykatësi ushtarak se trupi kishte “njolla të tmerrshme; vetëm Zoti e di çfarë papastërtish”: “Eduardo ka qenë me kufomën për të gjitha ato javë.” Rasti u kamuflua dhe u hesht.

Trupi i Evës vazhdoi odisejadën, me kushtin e rreptë që të mbahej larg ndërtesës së Inteligjencës, por koloneli - tashmë, sipas përshkrimit të Martínezit, i çmendur nga kjo detyrë dhe i mbërthyer nga një pasion nekrofilik - e rimori trupin. I tërbuar, pasi i bërtiti Evës pse nuk ia kthente dashurinë, ai urdhëroi oficerët e tij të urinonin mbi të. Gjithashtu, ia preu një gisht, për të provuar nëse se ishte trupi i vërtetë. Koloneli përfundoi në burg.

Por, çfarë ndodhi me trupin e Evës? Qeveria më në fund ia doli ta kontrabandonte jashtë vendit - supozohet me ndihmë të fshehtë nga Vatikani - dhe, në vitin 1971, ajo u zbulua në Milano, e varrosur në këmbë nën emrin e rremë María Maggi de Magistris. Trupi u zhvarros dhe u soll në shtëpinë e Juan Perónit në Spanjë, ku ai e mbante mbi tryezën e ngrënies. Gruaja e tij e re, Isabel, i krihte flokët Evës, çdo ditë, dhe Juani madje e inkurajonte atë të shtrihej pranë Evës, me shpresën se mund të thithte disi magjinë hyjnore të kësaj figure karizmatike.

Në një ringritje të jashtëzakonshme, Peróni u kthye në Argjentinë në vitin 1973 dhe u rizgjodh president. Kur ai vdiq në vitin 1974, Isabela e pasoi në detyrë, dhe ishte ajo që urdhëroi që trupi i Evës të rikthehej në atdhe dhe të vendosej pranë atij të bashkëshortit të saj - megjithëse e bëri kryesisht për të kënaqur grupin terrorist Montoneros, të cilët kishin vjedhur trupin e ish-diktatorit Pedro Eugenio Aramburu dhe e mbanin peng derisa ajo të përmbushte kërkesat e tyre.

Por, edhe atëherë, ngjarjet e çuditshme nuk kishin marrë fund. Dy rojet civile që transportuan trupin e Evës nga varri i saj në Madrid, u grindën për një borxh bixhozi, qëlluan njëri-tjetrin dhe u përplasën. Furgoni mori flakë dhe të dy humbën jetën - megjithatë, arkivoli mbeti i paprekur.

Më pas, në vitin 1976, trupi i Evës u mor nga rezidenca presidenciale në Olivos dhe u vendos në mauzoleun e familjes së saj në varrezat “Recoleta”. Dy ushtarë ndodheshin në ambulancën që e transportonte, duke mbajtur pushkë me bajoneta të fiksuara. Shoferi i ambulancës pësoi një atak kardiak dhe, gjatë ndalesës së papritur, ushtarët pa dashje ia prenë njëri-tjetrit venat e qafës me bajoneta. Ata u gjetën të mbytur në një pellg gjaku.

Së fundi, megjithatë, udhëtimi i gjatë i Evës mori fund. Ajo u vendos në një kriptë të fortifikuar, pesë metra nën tokë, në një varr prej mermeri me një derë të fshehtë në dysheme që çon në një dhomë me dy arkivole - dhe pastaj një derë të dytë të fshehtë që të shpie te arkivoli i vërtetë i Evës.

Por, legjenda vazhdon të jetojë. Edhe pse Lloyd Webber u përmbajt nga rrëfimi i historisë së kësaj kufome udhëtuese në muziklin e tij, ajo u tregua guximshëm në filmin jashtëzakonisht të frikshëm të Pablo Agüeros, Eva nuk fle [Eva no duerme, 2015], me aktorin Gael García Bernal, si dhe në mini-serinë e Disney+, Shën Evita [Santa Evita, 2022], prodhuar nga Salma Hayek - projekti i fundit bazuar në librin jashtëzakonisht të suksesshëm të Martínezit, i cili ka shitur mbi 10 milionë kopje në mbarë botën.

Martínezi pretendonte se kjo sagë e tmerrshme ilustron një shqetësim më të gjerë: prirjen e kahershme të Argjentinës ndaj “nekrofilisë”. Por, me siguri, asgjë nuk përputhet me natyrën e thellë dhe të pazakontë të trupit të Evës - qoftë kur është adhuruar apo përdhosur, parë si trup i një shenjtoreje qiellore apo i një përbindëshi të mallkuar.

Alejandro Maci, bashkëregjisor i serialit Shën Evita, i dha kësaj historie edhe një qasje bashkëkohore nga këndvështrimi i politikave gjinore, duke thënë në vitin 2022: “Kjo është një grua që është përvetësuar në mënyrë të përçudnuar nga një numër i pafund burrash, të gjithë ushtarakë. Kjo tashmë është pjesë e diskutimit tonë bashkëkohor.” Po ashtu edhe vetëdijesimi në rritje për fuqinë simbolike të një gruaje të bukur dhe të famshme që vdiq e re - dhe që, në rastin e Evës, është ngrirë në kohë jo vetëm në kujtesën kolektive, por edhe fizikisht.

Tani, ndërsa ajo rikthehet sërish si një sensacion dramatik - dhe si një simbol që ndez debate - falë këtij produksioni të fundit dhe tërheqës në Uest-End, Eva Perón e ka dëshmuar edhe një herë se ajo tejkalon vdekjen. Rroftë Evita. /Telegrafi/