“Rusët nuk kursejnë as fëmijët”, diplomati shqiptar në Kiev: Ja çfarë ndodhi në sulmet e fundit
Rusia ka goditur Kievin këtë të dielë me një breshëri raketash e dronësh. Sulmi i fuqishëm gjatë natës ka shkaktuar dy viktima dhe mbi 56 të plagosur.
Nga breshëria e raketave ruse mbi kryeqytetin ukrainas është goditur edhe kompleksi ku banon ambasadori shqiptar në Kiev, duke rrezikuar jetën e tij.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Ukraina me studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN, ishte ambasadori shqiptar në Kiev, Ernal Filo.
Sipas tij, aktualisht situata “është e qetë sepse të gjitha strukturat qendndrore dhe ato lokale janë të angazhuara në terren për të bërë verifikimin e dëmeve dhe për të parë se sa humbje jete ka”.
“Deri tani rezulton që janë dy të vdekur dhe 28 të plagosur. Kjo është normale. Zakonisht, kur ka sulme të tilla masive, pjesa e ditës deri në mbrëmje është kryesisht e qetë dhe zakonisht sulmet ndodhin gjatë natës. Por, kohët e fundit ka pasur edhe gjatë ditës, por në intervale të shkurtra. Gjatë ditës normalisht ata lëshojnë dronë që quhen dron informues me kamera për të parë se ku janë objektivat që ata do duan të shënjestrojnë gjatë natës, por kryesisht në 90% të rasteve ato zhvillohen gjatë natës deri në orët e para të mëngjesit”, tha Filo.
Ai ka shtuar se Rusia synon të shkaktojë sa më shumë dëme dhe frikë te civilët, me qëllim, sipas tij, të dobësojë rezistencën ukrainase.
“Rusia nuk merr parasysh humbjet e civilëve. Ata i synojnë sepse duan që të krijojnë sa më shumë dhimbje dhe sa më shumë dëshpërim, që ukrainasit në një farë mënyre të lodhen nga ky konflikt dhe të dorëzohen, të pranojnë kushtet që ofron Federata Ruse. Mirëpo, një gjë e tillë nuk po ndodh. Ukrainasit nuk kanë ndërmend që të dorëzohen. Ata do të vazhdojnë të rezistojnë sepse janë në të drejtën e tyre. Rusët vazhdojnë me mësymje dhe me sulme të tilla barbare që nuk kursejnë as fëmijët”, u shpreh ai.


