Please enter at least 3 characters.

RTK dhe Rregullat e Masonerisë

Derisa ish-drejtori i përgjithshëm e ka vrarë RTK-në, Bordi i ri së bashku me drejtorin e ardhshëm (pavarësisht cili do të jetë dhe sa profesionist do të jetë ai), mbetet që ta kryejnë vetëm edhe një detyrë; organizimin e ceremonisë së varrimit të RTK-së

1.
Gjashtë vjet më parë, një qytetar pasi kishte marrë pushimin vjetor vetëm për t’u pajisur me certifikatë të lindjes dhe pasi ishte sorollatur disa ditë nëpër korridoret e Gjendjes Civile, më pyeste se edhe çfarë duhet të ndodh që të avancohen shërbimet në këtë institucion?! Përgjigja ime ishte se zgjidhja më e mirë do të ishte suspendimi i shumicës së punonjësve nga puna dhe më pas të ndodhte shpallja e konkursit për pranimin e punëtorëve të rinj. Qytetari mbet si i nemitur duke pandehur se po bëja shaka, por një javë më vonë përmes një telefonate po e sforconte përgjigjen time dhe shtonte se “ideja juaj është shumë e mirë, por vështirë e realizueshme!”.

Përgjigje tjetër nuk mund të ketë as për Radiotelevizionin e Kosovës, i cili nuk po kalon ditë të vështira vetëm muajve të fundit, por që nga themelimi i tij. Nënshkrimi i peticionit të 322 punonjësve të RTK-së ditë më parë dhe kërkesa e tyre që ish-drejtori i përgjithshëm i RTK-së të rikthehej sërish në postin e tij, t’i kujton rregullat e masonerisë gjithnjë të mbuluara me vellon e misterit, ku ndër motot kryesore të saj mbetet: Në fillim krijo kaos, pastaj rivendos rregull!

Për gati një dekadë, Zatriqi e udhëhoqi pikërisht këtë rregull. Punësoi qindra njerëz pa konkurse e kritere, pastaj krijoi spiralen e nepotizmit dhe që situata të katandisej si mos më keq, ish-drejtori i RTK-së shkoi aq larg sa në tre vjetët e fundit i solli mesatarisht nga pesë “profesionistë” brenda një jave, me qëllimin e vetëm krijimin e kaosit brenda RTK-së, në mënyrë që një ditë kur ai do të largohej me dorëheqje a shkarkim, kaosi brenda këtij institucioni të krijohej deri në atë nivel, sa punonjësit e këtij institucioni në pamundësi për të dalë nga rrethi vicioz, të kërkojnë rikthimin e tij, kësaj radhe si shpëtimtarin e vetëm të saj.

2.
Vendosjen e një rregulli në RTK e pengon pikërisht Ligji për RTK-në, i cili e sanksionon të drejtën e profesionistëve për të qenë qoftë anëtar i Bordit, qoftë pjesë e stafit të lartë menaxherial të RTK-së. Sipas këtij Ligji të miratuar nga Parlamenti i Kosovës, të gjithë profesionistëve që punojnë në kuadër të institucioneve ua mbyllë të gjitha rrugët për të qenë pjesë e stafit udhëheqës e menaxherial të RTK-së, ndërkohë që njerëzve të shoqërisë civile, të cilët duket sikur kanë zbritur nga planeti i marsit u hapen të gjitha rrugët, pasi kinse njerëzit e kësaj kategorie janë të pandikuar politikisht, por që për fat të keq deri tash e kanë dëshmuar të kundërtën.

Edhe në ato shtete evropiane ku funksionojnë mediumet publike, përzgjedhja e stafit udhëheqës të këtyre institucioneve bëhet edhe përmes koalicioneve të partive në pushtet, ku përzgjedhja bëhet pa zhurmë e spektakle mediale. Kjo ndodh për shkak të krijimit të balancimit politik dhe pikërisht për shkak të krijimit të balancave politike edhe funksionojnë institucionet që e kanë statusin e mediumeve publike.

3.
Shpallja e konkursit për pranimin e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, në fakt vetëm se e ka politizuar edhe më shumë Radiotelevizionin e Kosovës, punonjësit e saj dhe opinionin publik. Së pari, pas shpalljes së konkursit publik, profesionistët duket që nuk preferojnë t’ia mësyjnë këtij posti gjithnjë e më “delikat”, të cilët edhe janë të sanksionuar nga Ligji për RTK-në dhe së dyti në këtë institucion pritet që të vijnë njerëz pikërisht nga shoqëria e “pa politizuar” civile.

As Bordi i ri, as menaxhmenti i ardhshëm i RTK-së, as do të kenë vullnet, as do të guxojnë të ndërmarrin masa elementare që do të duhej të ndërmerreshin në RTK; eliminimin e nepotizmit, numrin e tepërt të punonjësve të pa sistemuar dhe largimin e shumë jo profesionistëve, të cilët e kanë ngulfatur këtë institucion. Nuk do të mund të bëjnë asgjë edhe për faktin se Bordi i i zgjedhur dhe stafi menaxherial që pritet të zgjidhet, janë emëruar për të mos bërë asgjë.

Fundja dihet një fakt. Derisa ish-drejtori i përgjithshëm e ka vrarë RTK-në, Bordi i ri së bashku me drejtorin e ardhshëm (pavarësisht cili do të jetë dhe sa profesionist do të jetë ai), mbetet që ta kryejnë vetëm edhe një detyrë; organizimin e ceremonisë së varrimit të RTK-së…