“Rrugë komerciale”, por e rrethuar me banesa - banorët e “Vicianum” në Prishtinë në hall për parking
“Jam banor rezident, dua ta paguaj parkingun vjetor, por më thonë se nuk mundem sepse rruga është komerciale. Atëherë, ku ta parkoj veturën?”.
Kjo është pyetja me të cilën banorët e rrugës “Vicianum” në Prishtinë po përballen prej se kanë tentuar të gjejë një zgjidhje për parkimin e veturave pranë banesave të tyre.
G.A. ka kontaktuar “Prishtina Parking” për t’u informuar se si mund ta paguante tarifën vjetore si banor rezident, në mënyrë që të mos detyrohej ta largonte veturën çdo tri orë. Përgjigjja që, sipas tij, ka marrë e ka lënë pa një alternativë konkrete.
“Po tentoja ta parkoja veturën si banor rezident në rrugën ‘Vicianum’ dhe dëshiroja ta paguaj biletën vjetore, që të mos dal çdo dy-tri orë dhe të kërkoj një parking tjetër”, tha G.A. për Telegrafin.
Ai tregon se gjatë telefonatës me “Prishtina Parking”, pasi kishte dhënë adresën e banimit, është njoftuar se nuk mund ta bëjë pagesën vjetore.
“Kur më pyetën rreth adresës, po i tregoj emrin e rrugës dhe më thanë se nuk bën ta bëj pagesën, pasi aty është rrugë komerciale. Më thanë që vetëm me kupon që merret nëpër markete ose përmes SMS-it me telefon”, rrëfeu ai.
Problemi, sipas tij, është se kjo mënyrë parkimi e detyron ta zhvendosë veturën pas tri orësh, edhe pse banon në një nga objektet përgjatë kësaj rruge.
“U thashë që mua më bie ta largoj veturën pas tri orësh nga aty, përkundër se jam banor rezident në atë rrugë. Përgjigjja e tyre ishte se nuk është problemi i tyre, por i ndërtuesit që nuk ka bërë parkingje aty”, tha ai.
Pikërisht këtu, sipas G.A., lind pyetja se si është lejuar zhvillimi i një zone të banuar pa një zgjidhje të mjaftueshme për parkimin e banorëve.
“I pyeta pse Komuna i ka dhënë leje ndërtuesit kur nuk ka parkingje për banorë. Ku ta parkoj veturën? Kam një fëmijë të vogël, që duhet ta dërgoj në çerdhe në një pjesë tjetër të qytetit. Si ta marr fëmijën me veturë kur unë nuk mund të parkohem afër banesës sime?”, u shpreh ai.
“Është rrugë komerciale”
Telegrafi ka kërkuar sqarime nga Komuna e Prishtinës për statusin e rrugës “Vicianum” dhe problemin e ngritur nga banori.
Nga Komuna kanë konfirmuar se kjo rrugë konsiderohet komerciale.
“Po, është rrugë komerciale, pasi ka biznese aty”, thuhet në përgjigjen e Komunës.
Megjithatë, në këtë pjesë të rrugës nuk është vendosur ndonjë tabelë që do t’ua pamundësonte banorëve qarkullimin.
Kjo nuk i përgjigjet drejtpërdrejt pyetjes kryesore të banorit: nëse zona është e rrethuar kryesisht me objekte banimi, ku duhet t’i parkojnë veturat banorët që nuk mund të përfitojnë nga pagesa vjetore?
G.A. thotë se nuk e kundërshton pagesën për parking, por kërkon që të ketë një mundësi të përshtatshme për banorët rezidentë.
“Unë nuk jam kundër pagesës vjetore. Dua ta realizoj pagesën, por kjo e drejtë po më pamundësohet. Si ta dërgoj fëmijën në çerdhe, ku ta parkoj veturën pas tri orësh që ka qëndruar në parkingun që është i shënuar për banorë?”, tha ai.
Sipas tij, problemi nuk kufizohet vetëm në një familje.
“Ky nuk është problem vetëm i imi, por i gjithë Prishtinës. Pse po lejohen banesat e reja të ndërtohen kur banorët nuk kanë parkingje?”, theksoi G.A.
Ai thotë se ka kërkuar nga “Prishtina Parking” të dijë se cila është zgjidhja për banorët e kësaj zone, por thotë se nuk ka marrë një alternativë.
“Kur i kam pyetur se cila është zgjidhja, ata nuk më ofruan opsion tjetër. Atëherë unë si ta dërgoj fëmijën në çerdhe? Ta dërgoj me karrocë në Breg të Diellit, aty ku është çerdhja e vajzës? Si mund të cilësohet një rrugë komerciale ku i gjithë vendi është i rrethuar me objekte banesore?”, pyeti ai.
Gjobat 30 euro dhe mungesa e një alternative
Në këtë zonë, sipas të dëshmive të ofruara nga banori, automjetet që qëndrojnë përtej afatit të lejuar prej tri orësh rrezikojnë të gjobiten me 30 euro.
Kjo, sipas tij, krijon një situatë ku banorët përballen me një zgjedhje të vështirë: ta largojnë veturën pas tri orësh ose të përballen me gjobë, ndërsa pagesa vjetore që do t’u mundësonte një zgjidhje më të qëndrueshme nuk u ofrohet.
Telegrafi ka dërguar pyetje në adresë të “Prishtina Parking” për të sqaruar kriteret e pagesës vjetore, statusin e kësaj zone, kufizimin treorësh dhe trajtimin e banorëve rezidentë.
Deri në publikimin e këtij artikulli, “Prishtina Parking” nuk ka kthyer përgjigje.
Në mungesë të këtij sqarimi, mbetet e hapur pyetja që ngre banori: a ekziston një zgjidhje e veçantë për banorët rezidentë të një zone ku objektet e banimit janë të shumta, por parkimi i tyre trajtohet sipas rregullave të një zone komerciale? /Telegrafi/


