Rruga "Dardania" në Fushë Kosovë ende larg përfundimit, ankohen qytetarët
Fushë Kosova, e cila tashmë njihet si një nga qytetet më të ngarkuara, së fundmi po përballet edhe me vështirësi shtesë në qarkullim për shkak të punimeve në rrugët më të frekuentuara. Edhe pse qytetarët i mirëpresin këto projekte, nuk mungojnë as ankesat lidhur me vonesat e punimeve.
Edhe pse punimet po vazhdojnë, rruga “Dardania” në Fushë Kosovë ende duket larg përfundimit. Deri në rregullimin e plotë të saj, qytetarët vazhdojnë të përballen me vështirësi në lëvizje dhe ankohen se punimet po ecin ngadalë.
“Shumë ngadalë po shkojnë punimet, me një bager dhe dy punëtorë. Është vonesë e madhe, katastrofë”, tha një qytetar.
“Shumë keq për popullatën, vështirësi të mëdha po kemi me ecë, po shpresojmë të kryhen sa më shpejt”, u shprej një qytetar tjetër.
Megjithatë, qytetarët shpresojnë se pas rregullimit të rrugës do të ketë hapësira të mjaftueshme të dedikuara për qytetarët.
“Presim që të përfundojnë, ndoshta edhe këto trotuare të rregullohen dhe të ketë më shumë gjelbërim”, deklaroi një banor i Fushë Kosovës.
Vështirësi në qarkullim po hasin edhe ngasësit e automjeteve, ku shumë prej tyre janë detyruar të përdorin rrugë alternative, pasi njëri shirit është i bllokuar për qarkullim. Edhe bizneset që operojnë në zonat e prekura, prapa kamerave, shprehen të shqetësuara nga punimet rrugore, duke theksuar se kjo situatë po u shkakton humbje.
Kryetari i Fushë Kosovës, Valon Prebreza, kishte deklaruar për RTK-në se projektet që janë nisur do të vazhdojnë, por ato kërkojnë më shumë ndërhyrje dhe rrjedhimisht më shumë kohë.
“Projektet që kanë nisur do të vazhdojnë, por do të inkorporohen edhe problemet me kabllot nëntokësore, rrjetin e ujërave dhe kanalizimet”, deklaroi Prebreza.
Sipas Komunës, ka angazhime intensive në terren me qëllim të përfundimit të projekteve, përmirësimit të infrastrukturës, mirëmbajtjes së hapësirave publike dhe transformimit të tyre.


