Rrezik potencial për vizitorët, mbyllen përkohësisht disa zona të Kalasë së Prizrenit
Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka njoftuar se monumenti Kalaja e Prizrenit do të mbyllet përkohësisht në disa prej zonave të saj, në funksion të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe sigurisë së qytetarëve.
Sipas njoftimit të publikuar nga ministria, vendimi është marrë pas vlerësimeve profesionale, të cilat kanë evidentuar gjendje të rënduar të disa strukturave dhe rrezik potencial për vizitorët.
Ministria ka bërë të ditur se zonat me rrezik do të shënohen dhe do të kufizohen deri në një njoftim të radhës.
Po ashtu, sipas njoftimit, pezullohet menjëherë dhënia në shfrytëzim e hapësirave të kalasë për aktivitete nga organizata, iniciativa kulturore dhe artistë të pavarur, deri në stabilizimin e gjendjes dhe krijimin e kushteve të sigurta.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka theksuar se publiku do të njoftohet me kohë për çdo zhvillim të mëtejmë dhe për afatet e mundshme të rihapjes, ndërsa ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët dhe palët e interesuara, duke theksuar se vendimi është marrë për ruajtjen e monumentit dhe sigurinë e vizitorëve. /Telegrafi/


