Please enter at least 3 characters.

Rregullorja për Licencimin e Operatorëve të Shërbimeve të Kripto-Aseteve, BQK del me njoftim

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) rikujton se Rregullorja për Licencimin e Operatorëve të Shërbimeve të Kripto-Aseteve me aktivitet këmbimi, si hap i parë drejt rregullimit gradual të këtij sektori dhe rritjes së transparencës në Republikën e Kosovës, ka hyrë në fuqi më 29 nëntor 2025.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se me hyrjen në fuqi të saj, subjektet që janë objekt i licencimit obligohen që, brenda një afati prej 90 ditësh (deri më 1 mars 2026), të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për aplikim për licencë dhe për përshtatje të plotë me kërkesat e përcaktuara në këtë Rregullore.

BQK rikujton se afati i mbetur deri më 1 mars 2026, për dorëzimin e aplikacioneve për licencë dhe për përmbushjen e kërkesave të Rregullores gjatë kësaj periudhe kalimtare, është afati i fundit brenda se cilës të gjithë aplikantët duhet të kenë aplikuar, në pajtim me kërkesat e kësaj Rregulloreje. Pas përfundimit të këtij afati, ushtrimi i veprimtarisë së ofrimit të shërbimeve të kripto-aseteve pa licencë të BQK-së ose në mospërputhje me kërkesat rregullative do të konsiderohet shkelje e dispozitave të Rregullores dhe do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi", thuhet në njoftim.

BQK inkurajon të gjitha palët e interesuara që t’i përmbushin këto detyrime brenda afateve të përcaktuara, me qëllim të sigurimit të një zbatimi të plotë dhe efektiv të kornizës rregullative, si dhe të funksionimit të qëndrueshëm dhe transparent të këtij sektori.