Ronaldo i dërgoi fanellën si dhuratë Trumpit - portugezi i shkroi një mesazh paqeje në kohë krizash
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i dhuroi Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, një fanellë të Portugalisë të nënshkruar nga Cristiano Ronaldo gjatë samitit të G7 në Kanada.
Costa, i cili është nga Portugalia mban presidencën e Këshillit Evropian nga viti 2024, ndërsa aktualisht gjendet në Kananaskis në provincën kanadeze të Albertës.
Gjatë një takimi privat po atë ditë, Costa i dhuroi Trumpit fanellën me numrin 7 të firmosur nga Ronaldo.
Ish-kryeministri portugez lexoi me zë të lartë mesazhin e shtypur në fanellë: "Për Presidentin Donald J. Trump. Le të luajmë për paqen".
Trump e pranoi fanellën dhe tha: "Më pëlqen të luaj për paqen".
Nuk është e qartë nëse mesazhi i Ronaldos i referohet luftës midis Izraelit dhe Iranit, konfliktit të gjatë izraelito-palestinez, agresionit të Rusisë në Ukrainë, apo thjesht një mesazhi të përgjithshëm paqeje. /Telegrafi/


