Rodri largohet nga radarët e Real Madridit pas urdhrit të Florentino Perez
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka vendosur të mos vazhdojë me asnjë plan për transferimin e mesfushorit spanjoll Rodri gjatë afatit kalimtar të verës.
Sipas gazetarit Mario Cortegana, ylli i Manchester Cityt dhe fituesi i Topit të Artë ishte propozuar te drejtuesit madrilenë kohë më parë, por klubi nuk po e shqyrton aktualisht mundësinë e transferimit të tij në “Santiago Bernabeu”.
Raporti thekson se spekulimet e fundit rreth një kalimi të mundshëm të Rodrit te Real Madridi janë nxitur kryesisht nga Enrique Riquelme, kandidat rival në zgjedhjet presidenciale të klubit.
Riquelme e ka përdorur emrin e mesfushorit spanjoll në diskursin e tij publik, duke deklaruar se një lojtar i kalibrit të Rodrit duhet të jetë pjesë e skuadrës madrilene.
Megjithatë, Perez mbetet i përkushtuar ndaj projektit aktual sportiv dhe stabilitetit afatgjatë të klubit, duke refuzuar kategorikisht çdo ide që lidhet me propozimet e rivalëve të tij politikë.
Si rezultat, pavarësisht zërave të shumtë në tregun e transferimeve, Real Madridi nuk ka në plan të lëvizë për Rodrin këtë verë. /Telegrafi/


