Please enter at least 3 characters.

Rivarrimi i 8-vjeçarit të zhdukur në luftë, Haxhiu: Ditë dhimbjeje, sikur të mos mjaftonte vrasja e tij edhe trupi i tij u zhduk

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në ceremoninë e rivarrimit të Sinan Dautit, i cili ishte gjatë luftës kur ishte vetëm 8 vjeçar.

Haxhiu tha se janë mbledhur në Prekazin e Epërm, në një ditë të rëndë dhimbjeje dhe kujtimi, për t’i dhënë më në fund prehjen Sinanit 9 vjeçar, për trupin e të cilit nuk dinim asgjë për 27 vite.

“Sinani ishte vetëm 9 vjeç, një fëmijë që duhej të rritej mes lojës, shkollës dhe ëndrrave për të ardhmen. Por, jeta e tij u ndërpre në mënyrë tragjike në ditët më të errëta të luftës në Kosovë. Më 12 prill 1999, në lagjen Bregaj të Prekazit, gjatë sulmeve dhe granatimeve të forcave serbe, Sinani u plagos rëndë. Pas largimit me forcë të familjes së tij nga fshati, ai u dërgua fillimisht në spitalin e Skenderajt, e më pas edhe në spitalin e Mitrovicës ku edhe ndërroi jetë. Sikur të mos mjaftonte vrasja e tij edhe trupi i tij u zhduk”, ka theksuar U.D. presidentja Haxhiu.

Ajo më tej shtoi se për 27 vite me radhë, familja e tij jetoi mes dhimbjes duke pritur të dijë për trupin e tij, duke shtuar tutje se tani, me identifikimin e mbetjeve mortore në varrezat e Suhodollit në Mitrovicë, kjo pritje e gjatë mori fund dhe Sinani është kthyer në tokën e tij të lindjes.

“Sot nuk jemi këtu vetëm për një rivarrim. Jemi këtu për të nderuar kujtimin e tij dhe për të kujtuar 1392 fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë, si dhe të gjithë civilët e pafajshëm që humbën jetën në atë periudhë të rëndë. Këto dëshmi janë të dhimbshme që mbeten pjesë e historisë sonë dhe e kujtesës sonë kolektive. Kjo ngjarje na kujton çmimin e madh të lirisë që populli ynë ka paguar. Kjo ngjarje na obligon të mos harrojmë kurrë historinë tonë”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

Në fund, U.D. Presidentja tha se kujtimi i Sinanit mbetet një thirrje e përhershme për përgjegjësi, por edhe për drejtësi, një thirrje që asnjë familje tjetër të mos kalojë një dhimbje të tillë. /Telegrafi/