Rekord i ri historik, nepalezi ngjit Everestin për herë të 32-të
Udhërrëfyesi i njohur malor Kami Rita Sherpa ka arritur me sukses majën e Everestit për herë të 32-të, duke zgjeruar rekordin botëror për numrin më të madh të ngjitjeve në malin më të lartë në botë.
Agjencia e tij e ekspeditave “14 Peak Expedition” dhe zyrtarët e turizmit që mbikëqyrin ekspeditat nga Kampi Bazë i Everestit konfirmuan se Sherpa arriti majën.
Sipas një raporti të dorëzuar në zyrën e Kampit Bazë të Departamentit të Turizmit të Nepalit nga drejtori i “14 Peaks Expedition”, Tashi Lakpa Sherpa, udhërrëfyesi legjendar 56-vjeçar arriti majën duke udhëhequr një ekip ndërkombëtar ekspedite.
“Kami Dai u ngjit sërish”, tha Khim Lal Gautam, koordinator i zyrës së Kampit Bazë të Everestit.
“Ai tani po zbret drejt kampit bazë së bashku me ekipin e tij”, shtoi ai.
Ky sukses e ka forcuar më tej rekordin botëror të udhërrëfyesit, i njohur për karakterin e tij të qetë dhe forcën fizike.
Ai u ngjit për herë të parë në Everest në vitin 1994, në moshën 24-vjeçare. Që atëherë, ai është kthyer pothuajse çdo vit në mal, duke ia kushtuar jetën udhërrëfimit në lartësi të mëdha dhe sigurisë së alpinistëve nga e gjithë bota.
Ai mungoi vetëm gjatë viteve kur ekspeditat u anuluan për shkak të ortekëve, stuhive të dëborës ose pandemisë.
Sherpa mban rekordin botëror për numrin më të madh të ngjitjeve individuale në Everest që nga maji i vitit 2018, duke ripërcaktuar vazhdimisht kufijtë e qëndrueshmërisë, rezistencës dhe profesionalizmit në alpinizëm.
“T’i çosh klientët në majë është detyra ime. Kjo është ajo që po bëj”, tha ai. /AA/


