Regjimi i Iranit shkatërroi mitin e vet - dhe nxiti fundin e tij të ngadaltë
Një grua iraniane mban një fotografi të liderit suprem të Iranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei, gjatë faljeve të Fitër Bajramit - që shënojnë fundin e muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit - në xhaminë e madhe Mosalla në Teheran, më 21 mars 2026
(Foto nga: AFP / Getty Images)
Nga: Muhanad Seloom / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com
Ngritja e Mojtaba Khameneit tashmë po interpretohet si dëshmi se struktura komanduese e Republikës Islamike mbetet e paprekur, se regjimi frenoi një tjetër goditje dhe eci tutje. Ky interpretim është i gabuar. Ajo që ndodhi nuk është vazhdimësi. Është momenti kur një republikë revolucionare, e themeluar kundër monarkisë, e bëri autoritetin suprem çështje gjaku. Ky kundërshtim mund ta dëmtojë Iranin më thellë dhe më gjatë sesa bombat që bien mbi të.
Sistemi i Iranit ishte projektuar, të paktën në teori, të mbështetej në diçka tjetër përveç trashëgimisë. Revolucioni i vitit 1979 përmbysi një dinasti. Kushtetuta parashikon që lideri të zgjidhet nga Asambleja e Ekspertëve dhe të vlerësohet sipas standardeve të dijes, devotshmërisë, gjykimit politik dhe aftësisë administrative. Vetë Ali Khamenei raportohet se e kundërshtoi kandidaturën e të birit, sepse nuk dëshironte një rrëshqitje drejt sundimit trashëgimor në një shtet të lindur nga përmbysja e Shahut. Një republikë revolucionare mund t’i mbijetojë luftës. Nuk mund t’i mbijetojë aq lehtë shndërrimit në atë që pretendonte se zëvendësoi.
Ajo që ndodhi nuk ishte transferim normal kushtetues. Sipas disa burimeve, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike ishin vendimtare në ngritjen e Mojtaba Khameneit, duke theksuar se sa shumë ka devijuar trashëgimia nga përzgjedhja klerikale drejt menaxhimit të sigurisë. Ky është thelbi. Sapo njerëzit me armë bëhen arbitër efektivë të autoritetit juridik, Asambleja e Ekspertëve nuk duket si organ përzgjedhjeje. Duket si vulë ceremoniale mbi një vendim të marrë diku tjetër.
Profili i Mojtaba Khameneit e thellon problemin. Ai nuk kishte mbajtur kurrë një post formal qeveritar. Vepronte si portier për të atin, ndërtoi lidhje të ngushta me Gardën gjatë dy dekadave dhe konsiderohej gjerësisht si një linjë e ashpër kundër angazhimit reformist me Perëndimin. Siç ka vënë në dukje Alex Vatanka i Institutit të Lindjes së Mesme: “Mojtaba ia ka borxh postin e tij Gardës Revolucionare dhe si i tillë nuk do të jetë aq suprem sa ishte babai i tij”. Kjo i jep atij ndikim. Nuk i jep atij status të njohur klerikal, pikërisht atë që posti supozohet të japë. Ngritja e tij përkthen legjitimitetin revolucionar në fuqi rrjeti dhe patronazh sigurie. Ai mund të urdhërojë bindje. Nuk mund të urdhërojë automatikisht besim. Ai mund të trashëgojë makinerinë e të atit. Nuk mund të trashëgojë mitin e të atit.
Dhe, ai hyn në detyrë në kushtet më të këqija të mundshme. Pasi është raportuar se është plagosur në sulmin që vrau babanë e tij, Mojtaba Khamenei ende nuk ka bërë një paraqitje të konfirmuar publike, dhe mesazhi i tij për Vitin e Ri Persian (Nevruzi) u dha me shkrim përmes Telegram-it në vend që të jepej para kombit. Ndërkohë, lufta përreth tij ka hequr figura të larta në aparatin ushtarak, të inteligjencës dhe të sigurisë së Iranit, duke lënë që trashëgimia të zhvillohet nën stres ekstrem institucional. Ajo që mbetet është një kabinet lufte në tkurrje i mbështjellë rreth një lideri që mungon.
Çfarë do të thotë kjo përtej Teheranit
Pasojat rajonale janë aty ku qëndron dëmi i vërtetë strategjik. Rrjeti i Iranit i milicive aleate dhe forcave ndihmëse jashtë vendit [Proxy] nuk ka funksionuar kurrë vetëm me raketa dhe para. Ka qenë i varur nga fakti që Republika Islamike paraqitet si qendra e një kauze transnacionale, e bazuar në rezistencë, sakrificë dhe legjitimitet fetar. Kur autoriteti suprem reduktohet dukshëm në linjë gjaku dhe besnikëri të imponuar, ky pretendim ideologjik gërryhet.
Merrni parasysh ndryshimin në rrjet. Hezbollahu, tashmë i shkatërruar në organizim pas sulmeve izraelite në vitin 2024, mbetet akteri më ngushtë i lidhur me legjitimitetin juridik të wilayat al-faqih (doktrina e institucionalizuar në Kushtetutën e Iranit të vitit 1979, që thotë se autoriteti politik suprem, në mungesë të Imamit të Dymbëdhjetë, i përket një juristi shiit të kualifikuar që qeveris në emër të tij). Nën sekretarin e tij të përgjithshëm aktual, Naim Kassem, lëvizja ende e trajton bindjen ndaj juristit kujdestar si çështje të autoritetit fetar, jo thjesht si leverdi politike. Një trashëgimi dinastike gërryen pikërisht pretendimin teologjik që e bënte autoritetin e Teheranit, mbi lëvizjen, më shumë se transaksional. Huthët, për dallim, dalin nga një traditë e veçantë Zajdi (një degë e islamit shiit, historikisht e pranishme si në Jemen ashtu edhe në pjesë të Iranit verior, që njeh udhëheqjen nga një pasardhës i kualifikuar i Aliut dhe Fatimes përmes meritës dhe aktivitetit, dhe jo përmes linjës së fiksuar trashëgimore qendrore për shiizmin dymbëdhjetësh). Ata janë më pak të lidhur drejtpërdrejt me doktrinën klerikale të Teheranit, edhe nëse ndikimi iranian ka formësuar ideologjinë dhe zhvillimin e tyre ushtarak. Për ta, trashëgimia ndryshon më pak në aspekt operacional, por heq një arsye tjetër për ta trajtuar Teheranin si autoritet ideologjik. Milicitë irakiane bien diku në mes, me disa fraksione që tashmë po zhvendosen drejt logjikave nacionaliste ose të drejtuara nga patronazhi të cilat një lider suprem i dobësuar i përshpejton në vend që t’i krijojë.
Rezultati i mundshëm nuk është që çdo milici aleate papritur të dezertojë. Është që të bie premia ideologjike mbi rreshtimin me Teheranin. Me kalimin e kohës, rrjeti bëhet më pak një lëvizje dhe më shumë një grup klientësh, franshizash dhe varësish për siguri. Kjo është një formë më e dobët pushteti, dhe një më e kushtueshme për t’u mbajtur, sidomos për një shtet tashmë nën rrethim ushtarak dhe ekonomik.
Mekanika e rënies
Republika Islamike nuk ka sunduar kurrë vetëm përmes detyrimit. Garda, milicia Basixh, seminaret dhe rrjetet rajonale janë ushqyer që të gjitha nga një ide: ato i shërbejnë jo thjesht një shteti, por një rendi islamik nën kujdestarinë e një juristi të kualifikuar. Hiqe atë pretendim në majë dhe çdo institucion poshtë ndryshon karakterin. Garda bëhet më pak roje dhe më shumë krijuese sunduesish. Sistemi klerikal bëhet më pak burim autoriteti dhe më shumë një kor i angazhuar për të ratifikuar pushtetin pas faktit. Analistët që ndjekin politikën e Gardës kanë paralajmëruar për vite se dominimi i pakontrolluar i Gardës Revolucionare mund ta kthejë Republikën Islamike në një shtet ushtarak me vetëm një shtresë të hollë të legjitimitetit fetar. Ngritja e Mojtaba Khameneit është momenti kur ai paralajmërim pushoi së qeni hipotetik.
Kjo nuk do të thotë kolaps i menjëhershëm. Shtetet shntrënguese mund të zgjasin për një kohë të gjatë pasi bazat e tyre ideologjike çahen. Regjimi ruan një bërthamë të disiplinuar besnikësh dhe ata të linjës së ashpër mbeten mjaftueshëm të organizuar për të shtypur mospajtimin. Por, baza e tij e mbështetjes është shumë më e ngushtë se ajo që Republika Islamike dikur gëzonte. Në zgjedhjet e marsit 2024, për Parlamentin dhe Asamblenë e Ekspertëve, vetëm rreth 25 milionë nga 61 milionë iranianë me të drejtë vote hodhën votën pasi Këshilli i Kujdestarëve ndaloi figurat e njohura centriste dhe reformiste, përfshirë ish-presidentin Hassan Rouhani, nga gara për vetë organin e ngarkuar për përzgjedhjen e liderit suprem. Regjimi ende mund të mobilizojë mbrojtës. Por, është shumë më pak i aftë të pretendojë një mandat të gjerë shoqëror.
Regjimi që nuk mund të rinovojë legjitimitetin duhet të zëvendësojë bindjen me mbikëqyrje, karizmën me patronazh dhe balancën institucionale me militarizim. Ai bëhet më i ashpër, por edhe më i brishtë. Udhëheqësit e tij flasin më shumë në emër të sigurisë kombëtare, sepse mund të flasin më pak bindshëm në emër të virtytit revolucionar. Gabimet e tij bëhen më të vështira për t’u korrigjuar, sepse pranimi i gabimit kërcënon bazën e hollë të autoritetit që mbetet. Trashëgimia dinastike nuk e dobëson një sistem të tillë duke e bërë atë të butë. Ajo e dobëson duke e bërë atë të ngurtë, dyshues dhe gjithnjë e më të varur nga aparati detyrues që e krijoi problemin që në fillim.
Sulmet ajrore mund të dëmtojnë pistat ajrore të Iranit, portet, qendrat e komandës dhe infrastrukturën e naftës më shpejt se çdo kundërshti e brendshme mund të kishte bërë ndonjëherë. Por, shkatërrimi fizik shpesh është i kthyeshëm. Mitologjia politike nuk është. Republika Islamike u shfaq duke denoncuar sundimin trashëgimor, duke kurorëzuar autoritetin juridik dhe duke premtuar që legjitimiteti i saj vinte nga virtyti islam dhe jo nga gjaku. Duke ngritur Mojtaba Khamenein, ka sinjalizuar diçka tjetër: në momentin vendimtar, revolucioni u bë biznes familjar. Mojtaba Khamenei mund të sigurojë bindje. Ai madje mund ta zgjasë sistemin. Por, një republikë revolucionare që e kthen veten në një dinasti, nuk e demonstron qëndrueshmërinë. Ajo po e fillon kolapsin e ngadaltë. /Telegrafi/


