Reduktohet lista e barnave vitale
Nga 201 artikuj të planifikuar nga QKUK-ja që kanë qenë në listën esenciale, tani në listën vitale gjenden 129 artikuj, ose 64 për qind e barnave të aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë, raporton KTV.
Sa i përket citostatikëve, nga 52 artikuj sa kanë qenë të planifikuar brenda listës esenciale, vetëm 33 artikuj janë konsideruar si vitalë nga Ministria e Shëndetësisë. Kurse furnizim më i mirë vërehet te materiali shpenzues, ku sipas zyrtarëve të QKUK-së, ky furnizim shkon deri në 97 për qind.
Zyrtarët e Barnatores Qendrore të QKUK-së thonë se as kjo listë vitale nuk po arrin të përmbushet ashtu siç ishte thënë nga MSH-ja.
Mirëpo, ministri i Shëndetësisë mohon se ka reduktim të barnave me përpilimin e listës vitale të barnave.
Sipas ministrit Agani, qëllimi i kësaj liste ka qenë që të reduktohet mundësia e porosive nga institucionet shëndetësore për barnat që nuk janë esenciale për pacientë, e që shpeshherë janë porositur për shkak të kërkesave të operatorëve ekonomikë, e jo interesave të qytetarëve. /Telegrafi/


