“Reduktimet janë gënjeshtër, ka mungesë totale”, Fushë Kosova dhe Obiliqi pa ujë që nga e premtja
Fushë Kosova, Obiliqi dhe lagjja “Kalabria”, në Prishtinë që nga mëngjesi i ditës së premte kanë mbetur pa ujë të pijes si pasojë e dëmtimi të një gypi furnizues
Kompania Rajonale e Ujësjellësit "Prishtina" sh.a, ka njoftuar se po vazhdojnë punimet për sanimin e gypit kryesor furnizues dhe si rezultat do të ketë reduktime në furnizimin me ujë nga ora 12:00 deri në 17:00 në Fushë Kosovë, Obiliq dhe lagjja Kalabria, derisa ka paralajmëruar se ndikime mund të ketë edhe në pjesë të tjera të qytetit të Prishtinës.
“Ekipet tona teknike po punojnë me intensitet të shtuar për sanimin sa më të shpejtë të problemit”, thuhet në njoftim.
Megjithatë, qytetarët në Obiliq e kanë quajtur gënjeshtër çështjen e orëve të reduktimeve, duke thënë se ata që nga e premtja asnjëherë nuk kishin ujë të pijes.
“Në Obiliq ne nuk kemi prej të premtes në mëngjes. KRU Prishtina ka thënë reduktime por ne s’kemi furnizim me ujë asnjë orë. As nuk na furnizojnë me kamion e as nuk e lëshojnë kurrë, tmerr. Po thonë reduktime por po rrejnë”, ka shkruar një nga qytetarët në Obiliq, I cili ka dashur të jetë anonim.
Ndërkohë, zëdhënësja e Ujësjellësit, Arjeta Mjeku ka një përgjigje.
“Reduktimet janë ato por nëse jetojnë në kate të larta mund të mos iu shkoj uji për shkak që mbushin rezervuarët ata që janë ulët me banim”, tha ajo. /kp/


